Policia e Gjirokastrës ka zbardhur detaje nga grabitja e filialit të postës në Gjirokastër, ngjarje për të cilën arrestoi një të ri nga Vlora. Në njoftim thuhet se gjatë kontrollit në banesën e tij policia gjeti edhe municione. Më poshtë njoftimi i plotë dhe pamjet e shoqërimit të tij në komisariat.
Rreth orës 12:52, një shtetas, i maskuar dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit, ka arritur të marrë një shumë parash, në filialin e Postës Shqiptare në lagjen “Varrosh”, Gjirokastër, dhe është larguar me shpejtësi në rrugicat e lagjes Varosh. Më marrjen e njofitmit, shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën dhe janë vënë në ndjekje të autorit.Falë kontrollit të imtësishëm të zonës, shërbimet e Policisë bënë të mundur që pas disa minutash të lokalizonin dhe të arrestonin autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin I. M., 29 vjeç, banues në Vlorë, si dhe të sekuestronin armën e zjarrit, shumën e parave të vjedhura, kapuçin dhe një palë doreza.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe një sasi municioni luftarak. 29-vjeçari është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, për të vijuar me procedurat e mëtejshme.









