Dalëngadalë po zbulohen detaje të reja lidhur me plagosjen e Fabion Kuçit, i njohur në rrjetet sociale si ‘Gucci’. Sipas raportimeve të fundit, konflikti që çoi në ngjarjen e dhunshme ka nisur fillimisht në rrjetet sociale dhe më pas është përshkallëzuar në një përplasje live.
Gazetarja Xhensila Kodra, në një lidhje direkte për News24, raportoi se gjatë dëshmisë së tij para policisë, Kuçi ka pohuar se konflikti me autorin e plagosjes, i cili tashmë është identifikuar dhe shpallur në kërkim, ka nisur pas një debati dhe sharjesh në TikTok.
Sipas burimeve, Fabion Kuçi ka një histori kriminale jashtë vendit, duke qenë i dënuar në Angli dhe i ka kryer disa vite burg atje. Ai ka qenë gjithashtu aktiv në rrjetet sociale, ku shpesh përfshihej në debate dhe përplasje me figura të njohura si Kozak Braçi dhe Xhemal Uka, i cili njihet si ‘Fire’ online.
Xhemal Uka gjithashtu është shpallur në kërkim prej disa ditësh për një ngjarje të dhunshme që ndodhi në zonën e Freskut, ku një 26-vjeçar u dhunua brutalisht me sende të forta dhe çekiç. Pas këtij incidenti, Uka u shpall në kërkim, ndërsa personi që kreu dhunën u arrestua.
Policia vijon hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë. Autoritetet bëjnë thirrje për bashkëpunim nga dëshmitarët që mund të kenë parë ngjarjet që çuan në plagosjen e Kuçit.
Ky zhvillim tregon se konflikti fillimisht virtual mund të ketë pasoja serioze në jetën reale, duke rikthyer vëmendjen tek rreziqet e përfshirjes në debate dhe sharje online.








