KF Teuta ka zyrtarizuar firmën e Aristidi Kolaj. Lajmi është bërë i ditur nga klubi, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
Sulmuesi, i cili është aktivizuar së fundmi te Renate në Serie C, është gati të japë kontributin e tij për durrsakët.
Postimi:
KF Teuta njofton se ka arritur marrëveshje me futbollistin Aristidi Kolaj, i cili nga sot do të jetë pjesë e ekipit tonë.
Kolaj, 26 vjeç, aktivizohet në rolin e sulmuesit të djathtë dhe mesfushorit ofensiv (numër 10). Ai i bashkohet KF Teutës nga klubi italian AC Renate, ku u transferua në muajin janar 2025. Gjatë eksperiencës së tij me Renaten, futbollisti ka zhvilluar 30 ndeshje zyrtare, duke realizuar 3 gola dhe 2 asistime.
Në karrierën e tij, Aristidi Kolaj ka qenë pjesë e klubeve Como U19, Sassuolo, Crotone dhe Pescara, duke fituar përvojë të rëndësishme në futbollin italian. Gjithashtu, ai ka qenë pjesë e Kombëtares Shqiptare U21.
KF Teuta i uron mirëseardhjen Aristid Kolajt dhe i dëshiron suksese me fanellën blu.









