Zhdukja e një 35-vjeçari grek 2 km nga Shqipëria prej më shumë se 10 ditësh ka vendosur në lëvizje policitë e dy shteteve që të kontrollojnë zonën në kufi.
Sipas informacioneve nga mediat greke, 35-vjeçari grek nga Sideri i Thesprotisë mbahet peng në malet në kufi me Shqipërinë.
Policia greke ka kërkuar ndihmën e policisë shqiptare për gjetjen e 35-vjeçarit grek Ilias Drikos, pasi mendohet se ai është marrë peng nga trafikantë shqiptarë si pasojë e kapjes së një ngarkese droge pak javë më parë në fshatin Sideri.
Sipas informacioneve nga mediat greke, trafikantët shqiptarë e kanë marrë peng, pasi dyshojnë se babai i 35-vjeçarit të ketë informuar policinë greke dhe për këtë janë hakmarrë duke rrëmbyer djalin e tij në momentet kur ai ndodhej në stanin e bagëtive.
Familjarët e Ilias Drikos shprehen për mediat greke se hera e fundit që kanë kontaktuar me djalin ka qenë para 10 ditësh dhe fjalët e tij kanë qenë “Po vij në shtëpi”, por është zhdukur në mënyrë të mistershme./shqiptarja.com