Leo Messi do të fitojë për herë të tetë në karrierë Topin e Artë. Ky është lajmi që qarkullon prej kohësh dhe ka nisur të kristalizohet në orët e fundit. Pas triumfit në Botërorin 2022 në Katar, ylli argjentinas do të thellojë rekordin me trofeun prestigjioz individual.
Gjithsesi kjo gjë duket se nuk është pëlqyer aspak nga fansat, të cilët e quajnë si grabitjen më të madhe në historinë e këtij sporti, pasi sipas tyre, çmimin e meriton Erling Haaland.
Norvegjezi ishte lojtari kyç i Manchester City-t në triumfin e “Tripletës”, me statistikat e tij që ishin jashtë normales.
Edhe pse fitoi Kupën e Botës në Katar, fansat mendojnë se sezoni i dobët me PSG-në dhe transferimi i tij në SHBA te Inter Miami bëjnë që Mesi mos ta meritojë këtë çmim.
Disa nga komentet kundër tij ishin: “Do të jemi dëshmitarë të grabitjes më të madhe në historinë e futbollit më 30 tetor 2023”; “Kjo është e turpshme”; “E dua Mesin, por nëse ai fiton ‘Topin e Artë’ për këtë vit, atëherë mendoj se ky çmim do të humbë edhe pjesën e mbetur të besueshmërisë”; “Ky mesazh vjen nga një tifoz i përjetshëm i Mançester Junajtid, por Haaland është fituesi i vërtetë!”, “Një tjetër grabitje”, “Futbolli ka mbaruar” etj.
Kjo do të jetë edhe hera e parë në histori, që Topi i Artë i dorëzohet një futbollisti i cili nuk luan në ligat europiane. Prej disa muajsh Leo është transferuar në Major League Soccer amerikane, ku luan me Inter Miami.









