Presidenti Ilir Meta ka ftuar qytetarët në referendum për mbrojtjen e Kushtetutës dhe Republikës, siç u shpreh ai. Gjatë një konference të jashtëzakonshme për mediat, kreu i shtetit tha se vendit i nevojitet një Kushtetutë e re e cila të përfaqësojë interesat e qytetarëve dhe jo të kryetarëve të partive.
“Shqiptarët të hapin sytë në mbrojtje të Kushtetutës. Kushtetuta është vija e kuqe dhe e pakalueshme. Shqipëria nuk është dhe nuk mund të jetë shpresëhumbur. Presidenti do të kërkojë mbështetjen e mbarëpopullit shqiptar që përmes referendumit të mbrojmë republikën. Të mbrojmë sot kushtetutën të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë”, u shpreh Meta.
Qëllimi i Reformës në Drejtësi, tha Meta, nuk duhet të ishte falimentimi i sistemit, por kthimi i besimit të qytetarëve. Sipas tij, Kushtetuta aktuale është shkelur sistematikisht nga politika.
“Kushtetuta e Republikës, ajo që na rekomandoi Venecia po shkelet hapur dhe dhunshëm me qëllim përqendrimin e pushteve në duart e qeverisë. Qeveria nuk është llogaridhënëse. Pushteti ekzekutiv është bërë një me atë gjyqësor. Janë kapur të gjitha bashkitë e vendit me votime njëpartiake duke cenuar autonominë vendore. Vendi dhe qytetarët janë lënë pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë. Kur Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, term që nuk ekziston në Kushtetutë, u zgjodh në mënyrë të paligjshme”.
Kreu i shtetit vlerësoi Kushtetutën e vendosur nga referendumi i 1998, e cila sipas tij ishte më e mira që ka pasur ndonjëherë vendi. “Kushtetuta e ’98 rivendosi paqen sociale në vend si dhe garantoi rotacionin normal politik”, tha kreu i shtetit.
Kritika, Meta kishte për Kushtetutën e vitit 2008, e cila sipas tij u deformuar duke anashkaluar popullin, ndërsa iu dha përparësi kryetarëve të partive politike.