Luftëtari u mund papritur në Laç edhe pse pati epërsi numerike, dhe kjo e tërboi trajnerin Mladen Milinkoviç. Tekniku serb nuk mundi t’ua falte të vetëve faktin se ishin me 11 lojtarë në fushë ndaj 10 kurbinasve, por pësuan gol në minutën e 92-të duke dalë të humbur. “Ne nuk e kemi siguruar mbijetesën, – tha ai, – ne kishim mundësi të fitonim, por humbëm dhe i dhuruam suksesin kundërshtarit dhe kjo erdhi nga egozmi i disa lojtarëve”. Jo vetëm kaq, por Milinkoviç kërcënoi se disa nga lojtarët e tanishëm nuk do të jenë në Gjirokastër sezonin e ardhshëm.
“Ata që luajtën sot duhej të tregonin se e meritonin vendin në ekip, – vazhdoi Milinkoviç, – për fat të keq, disa nga ata nuk mund të luajnë me ne”. “Shumë futbollistë mendojnë për veten, por ata harrojnë se forca jonë ka qenë skuadra, grupi, jo individët, – akuzoi serbi, – dsa mendojnë se janë yje dhe duan të luajnë për vete, dhe prandaj ne nuk jemi ekipi që ishim më përpara”.
Luftëtari kaloi në avantazh në minutën e 17-të me penallti, por Laçi barazoi në 35’. Në minutën e 86-të, Erion Vucaj doli me karton të kuq duke e lënë Laçin me 10 lojtarë, por në minutën e dytë shtesë, Serzhio i dha fitoren vendase. Në ndeshjen tjetër të orës 16:00, Teuta fitoi thellë ndaj Korabit plot 4-0 në “Elbasan Arena”. Papa, Magani, Progni dh Çyrbja ishin autorët e golave, ndërsa durrsakët e trajnerit Magani goditën dy herë shtyllat para se të kalonin në avantazh.
Në fundin e tabelës, Teuta ka 36 pikë në vend të 6-të, Tirana, Laçi e Flamurtari nga 32 (Tirana e Flamurtari nga një ndeshe më pak) dhe Korabi i rënë në Kategorinë e Parë me 13 pikë.
Sfidanti.al