Drejtoresha e Inspektoriatit të Shëndetit Publik, Albana Fico foli edhe për rastet kur i prekuri mund të jetë bartës i virusit Covid-19, por të mos sëmuresh. Fico tha, se këto raste rrezikojnë vetëm kalimin e koronavirusit tek personat e tjerë.
“Pyetja është e saktë dhe ia vlen ta qasim. Vetëizolimi ka të bëjë me persona pozitivë jo të sëmurëve jo me shenja klinike. Në spital ke shenja klinike, je pozitiv . Personat që dolën pozitiv pas dy rasteve të para janë të vetëizoluar. Janë persona që nuk kanë shenja klinike. Vetëkarantinimi ka të bëjë me persona që kanë histori udhëtimi dhe nuk kanë shenja klinike. Nëse ti ke shenja respiratore, ke temperaturë dhe ke qenë në zonat e kuqe vjen këtu. Edhe atyre që nuk kanë histori udhëtimi i bëhet testimi. Në vetëkarantinim ke për detyrë të qëndrosh i izoluar, të përdorësh një dhomë të veçantë”, u shpreh Fico.
Deklarata e drejtoreshës së ISHP, u bë gjatë përditësimit zyrtar të të dhënave për të prekurit nga koronavirusi. Ministria e Shëndetësisë raportoi sot se tanimë, bilanci ka shkuar në 10 të prekur, njëri prej tyre në spitalin e Durrësit. Ndërkohë, 3 janë të shtruar në Spitalin Infektiv, njëri në Spitalin e Durrësit, ndërsa të tjerët, janë të vetë-karantinuar në shtëpi.









