Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro tregoi sot një episod që i kishte ndodhur pesë vjet më parë kur ajo mori detyrën. Në një intervistë për News 24, teksa u pyet nga gazetarja se si ia dilte mbanë me kohën, jo vetëm të promovonte personalisht ngjarjet kulturore, por madje edhe të merrte pjesë vetë në to, Kumbaro zbuloi ‘porosinë’ që i kishte dhënë një ish-ministër Kulture.
“Po ju tregoj diçka që s’e kam thënë më parë në publik. Kur mora detyrën, një ish-ministër, të cilit doja t’i kërkoja një lloj eksperiencë, më tha se artistëve duhet t’u shkosh ndonjëherë, t’u bësh qokën, s’ka ç’a bën. Nuk e fsheh që më shokoi kjo gjë. Ndërkohë e vërteta është se unë vij nga fusha e kulturës, unë jam rritur në teatër, unë kam punuar tërë jetën në kulturë dhe edukim. Këtë detyrë nuk e kam angari, nuk më zuri halli. E kam përkushtim total”, tha Kumbaro, duke theksuar se skuadra ku bën pjesë, qeveria, ia ka dhënë të gjithë mbështetjen dhe hapësirën që kulturën të mos e konsiderojmë si një qokëapo fasadë, por ta shohim si pjesë të jetës së përditshme.
“Ajo është pjesë e jetë time të përditshme. Edhe sikur mos të kisha mundësi, do të lija diçka tjetër për të ndjekur jetën artistike”, tha ministrja.
Sipas saj ndjekja e jetës artisike është jo thjesht kënaqësi, por edhe një detyrim ndaj artistëve. Kumbaro tha se nuk mund t’i përdorim artistët vetëm për tribunat politike.
“Nëse opozita do t’i kishte ndjekur vërtet në hallet e tyre këto pesë vitet e fundit, do të kisha qenë e lumtur për të pasur një bashkëbisedim dinjitoz me opozitën, përsa i përket artit dhe kulturës”, shtoi ministrja Kumbaro, duke mos e përmendur emrin e ish-ministrit të Kulturës që i pati dhënë ‘këshillën’ për të bërë qoka tek artistët.
© ArgjiroLajm.net