Tritan Shehu, ish kryetari i Partisë Demokratike, në kohën kur Sali Berisha shërbente si president, ish zvendëskryeministri e ministri i Jashtëm në qeverinë e Aleksandër Meksit, si dhe ish presidenti i firmës partiake “Shqiponja”, pas një harese njëzetë vjeçare, është rikthyer në qendër të skenës politike të opozitës.
Nëse karriera e tij politike pësoi tronditje pas ngjarjeve të hidhura të vitit 1997, të finalizuara me kapjen rob prej “kryengritësve” lushnjarë, rihyrja pas dy dekadave fshehjeje dhe dështimi si bashkëdrejtues me Genc Pollon i Partisë Demokrate të Re (PDR), së bashku me habinë solli dhe indinjatën e pjesës dërmuese të demokratëve. Për të cilët, sikurse Genc Pollo edhe Tritan Shehu ishte një “xhaketë e vjetër”, që nuk e justifikonte rreshtimin i pari në listën Basha të kandidat deputetëve të Gjirokastrës. Aq më tepër bëhej i papranueshëm Shehu kur Lulzim Basha pretendonte themelimin e Republikës së re, me njerëz të rinj.
Edhe për këtë rikthim të Tritan Shehut në politikën e PD-së u akuzua Lulzim Basha, faji i të cilit, duhet përmendur se shkon deri tek bindja për ta rivendosur Shehun në krye të listës që i siguroi atij mandatin e deputetit. Pasi deputetllëku i Tritan Shehut është atribut i lidhjeve të tij të vjetra të ndërprera përkohësisht, por që nga sa duket janë rilidhur sërish, për arësye që pritet të verifikohen.
Një pjesë të këtyre lidhjeve na i zbulon gazetari Xhovani Shyti, në librin e tij të pestë: ”Pabesia e një ambasadori në Tiranë”, që ka në qendër, skandalin më të madh diplomatik të historisë shqiptare, sikurse ai e etiketon, dhe ku njeri nga protagonistët kryesor është pikërisht Tritan Shehu, deputeti i Republikës së re të Lulzim Bashës.
Me lejen e autorit, CityNews do të sjell fragmente ekskluzive nga libri në mënyrë që Tritan Shehun, por edhe protagonist të tjerë të politikës së vjetër, ti njohin akoma më mirë veçanërisht ata që nuk e kanë përjetuar kohën kur ylli i Tritanit shndriste në qiellin e politikës shqiptare.
“…Zërat dilnin prej shiritit ngjyrë kafe, që vazhdonte të shturitej qetësisht, njëtrajtësisht, pa u ngutur, duke i lëshuar qërueshëm timbret karakteristike të zërave të dy bashkëbiseduesve. Njëri kryediplomat i një ambasade të huaj në Shqipëri dhe tjetri shqiptar. Jo një shqiptar i zakonshëm, por një politikan i rangut të lartë… Një ish zvendëskryeministër, Ministër i Jashtëm dhe ….Për çfarë punësh të së ardhmes e kishte fjalën Ambasadori gjatë bisedës së fshehtë me Tritan Shehun? Çfarë pune duhej të mbyllej mirë? Dhe çfarë meraku e brente demokristianin Rocco Buttiglione, i cili më shumë se një herë i kishte telefonuar i shqetësuar, Tritan Shehut, kryetarit të një partie shqiptare, i cili përveç këtyre posteve kishte mbajtur edhe timonin drejtues të firmës tregtare partiake me emërtesën “Shqiponja” që, jo pak herë, ishte akuzuar se lëvronte kontrabandën midis dy brigjeve të Adriatikut…”, lexohet ndër të tjera në njërin nga kapitujt e librit. (Vijon)/citynews