Milan bën “djallin” ndaj Pisa-s, del me 3 pikë pas triumfit 2-1 duke mos lejuar Inter të arratiset, ngushton diferencën në 5 pikë dhe mbajtur të ndezur garën për titull në Serie A. Ndryshe nga se pritej, ekipi i Allegrit hasi jo pak vështirësi, por në minutën e 39-të Loftus-Cheek me një goditje të bukur me kokë kaloi kuqezinjtë në avantazh.
Me fillimin e pjesës së dytë, Allegri hodhi në fushë Fullkrug në vend në Nkunku. Sulmuesi gjerman kishte shansin e artë të shënonte golin e qetësisë ku në minutën e 56-të shpërdoroi një rast të pastër teksa gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Pisa fitoi zemër, filloi duke parë më shumë drejt sulmit dhe në minutën e 71-të befasuan Milan, ku Loyola me një goditje të bukur brenda në zonë barazoi shifrat në 1-1. Në momente të vështirë, si në këtë transfertë, diferencën edhe një herë e bëri një lider si Modric, me legjendën kroate që shënoi një gol shumë të bukur në minutën e 85-të duke tërbuar Allegrin dhe tifozët kuqezi, një gol me shumë peshë, një fitore shumë e rëndësishme që për fat të keq u zbeh nga Rabiot, me francezin që brenda 30 sekondave u ndëshkua dy herë me karton të verdhë duke lënë Milan me 10-të lojtarë. “Djalli” mbrojti me fanatizëm këtë trepikësh duke përforcuar pozitat në zonën Champions dhe duke i ushtruar presion nga pranë Interit kryesues.
Allegri shijon në maksimum këtë fitore ndërsa nuk i kurseu elozhet ndaj Luka Modric: “Nuk ishte e lehtë. Pisa është një skuadër jo komode. Di të them që kam një ekip me cilësi të jashtëzakonshme. Ata e dinë që po zhvillojnë një sezon të mirë, por kampionati mund të ndryshojë brenda një jave. Luka Modric? Çfarë të them për të, është një lojtar i shkëlqyer, të gjithë duhet të mësojmë nga ai. Inter-Juventus? Për ne ishte e rëndësishme të merrnim 3 pikë nga kjo transfertë. Jemi në kuotën e 53 pikëve, një fitore larg objektivit tonë”, u shpreh Allegri ndër të tjera






