Postimet e tij raciste në rrjetet sociale dhe dhuna e përdorur që në moshë të vogël janë disa nga detajet që janë zbuluar mbi autorin e vrasjen makabre të familjes Kloci në Greqi.
Sipas mediave vendase, vrasësi i Andravidës, i identifikuar i D.B, 61 vjeç, i cili shkatërroi një familje, duke vrarë babanë, nënën dhe dy fëmijët e vegjël një e dy vjeç, pasi i kishin borxh qiranë, do të dalë nesër në mëngjes para prokurorit.
Më herët ai ka rrëfyer në policinë e Drejtorisë së Sigurimit të Ilisë aktet e tij të tmerrshme duke i thënë se e ka bërë pasi nuk i kishin paguar qeranë. Autori është banues në Andravidë , baba i dy fëmijëve dhe pronar i shtëpisë ku banonte familja Kloci.
Profili i vrasësit
Djali i 61-vjeçarit është me uniformë dhe vajza e tij studente në Universitetin e Peloponezit dhe të dy jetojnë me nënat e tyre. Ai ishte divorcuar dy herë dhe jetonte i vetëm në një vilë në Andravidë. Në të kaluarën ai merrej me lojëra të fatit dhe kishte arritur të fitonte shuma të konsiderueshme parash. Në shtëpinë e tij mbi 500 metra katrorë ka pasur kamera për arsye sigurie.
Që në moshë të vogël është marrë me përdorimin e armëve. Në moshën 15-vjeçare, ai qëlloi një shokun e klasës, i cili ende edhe sot ka plumbin në këmbë. Ai u përfshi edhe në një aksident automobilistik fatal ku si pasojë mbeti viktimë një çiklist.
“Një ditë më thirri se e shqetësonte gjeli që kisha në oborr. Para se t’i them se do të kujdesem për të, ai doli me pistoletë në dorë dhe e vrau”, thotë fqinji 61-vjeçar.
Në të njëjtën kohë po ngrihen pikëpyetje nëse pas vrasjes brutale të katërfishtë në Andravidë ka edhe motive raciste, pasi disa nga postimet e autorit në rrjetet sociale ishin raciste dhe ksenofobike.
Në një nga postimet e tij (disa nuk riprodhohen për shkak të sharjeve ekstreme) ai i referohet emigrantëve sirianë, të cilët i cilëson si dezertorë sepse janë larguar nga vendi në mes të luftës, por edhe spiunë të mundshëm! Policia kishte ngritur një aksion arrestimi jashtë banesës së tij në Andravidë pasi rreth shtëpisë së tij ishin vënë re disa lëvizje. Siç doli pak më vonë, ai kishte kaluar pranë shtëpisë së tij dhe më pas ishte larguar. Pak pas mesnatës së së premtes, ai u gjet duke ecur në rrugën Perimetrike të Patrës në lartësinë e stadiumit Pampeloponnisia ku ishte vendosur një postbllok policie e cila e ndaloi dhe më pas e arrestoi pa asnjë rezistencë.










