Kryeministri grek po përballet me një zemërim në rritje pas pretendimeve se ai ka marrë pjesë në një drekë që kapërcente limitin e personave të lejuar në një vend, pikërisht në ditën kur kufizimet shtesë u shpallën në vend për të ndalur transmetimin e virusit.
Kiriakos Micotakis e gjeti veten nën kritika pasi ai dhe të tjerë politikanë të afërt u filmuan teksa shijonin një drekë në tarracën e shtëpisë së një deputeti, në Ikaria. Mediat shkruan më pas se numri i personave të pranishëm ishte më i madh nga ai i lejuar.
Lideri i qendrës së djathtë po vizitonte ishujt në Egje për tu takuar me stafin mjekësor dhe për të parë nga afër ecurinë e programit të vaksinimit. Por ai që do të kish qenë një udhëtim i suksesshëm u la në hije nga lajmi se grupi kishte shkelur një nga rregullat kryesore të shpallura nga qeveria gjatë drekës në shtëpinë e deputetit të Demokracisë së Re, Kristodulos Stefanidis. Menjëherë imazhe dhe video qarkulluan në internet. Me shifrat ditore të infektimeve që janë katërfishuar në vend, duke sjellë frikën e një vale të tretë të pandemisë, masat kufizuese u ashpërsuan të shtunën në Greqi.
Kjo nuk është hera e parë që Micotakis vendoset në qendër të kritikave për shkeljen e rregullave që vetë qeveria e tij vendos, me opozitën që e rrëmben mundësinë për të fituar pikë pa humbur kohë. në dhjetor, ai u kritikua pasi u shfaqën foto të tij me mbështetës, gjatë një ekskursioni në mal, në veri të Athinës. Askush nuk mbante maskë dhe as nuk ruante distancën. Në këtë rast ai kërkoi ndjesë publike.