“Skulptori i Popullit”: Gjirokastra është perandori prej guri dhe shpirti njerëzor. Gjithmonë e kam ndjerë aromën dhe dashurinë e qytetit tim. Ajo më lindi dhe më bëri skulptorin e saj…
Nga: Naxhi Kasoruho*
Mumtaz Dhrahmi është skulptori i veprave monumentale si: “Nëna Shqipëri”, “Adem Jashari”, “Monumenti i Pezës”, “Drashovica”, “Lasgush Poradeci”, “Mitrush Kuteli”, “Ali Pashë Tepelena”, “Obelisku” në Gjirokastër, “Monumenti i Pavarësisë” në sheshin e Flamurit në Vlorë, si dhe i shumë veprave të tjera, duke e renditur atë në artistët me vlera të larta në kulturën tonë kombëtare. Me një integritet të lartë, ai padyshim që zë një vend nderi në trashëgiminë tonë kulturore kombëtare…
***
Pasionant, skulptor i niveleve të larta artistike, intelektual me integritet të lartë qytetar, autor i shumë veprave të ekspozuara në ambiente publike dhe salla ekspozitash apo institucione të ndryshme, Prof. Mumtaz Dhrami ka krijuar një galeri të tërë personazhesh, përgjatë një aktivitet të jashtëzakonshëm në mbi 60 vjet krijimtari. Është ndër artistët e veçantë gjirokastritë, që ndonëse i larguar nga vendlindja fare i vogël në fillim të viteve ‘50 për të studiuar skulpturë në Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe në Akademinë e Artit në Leningrad të Bashkimit Sovjetik, ai jo vetëm që e ka ruajtur në shpirt Gjirokastrën e tij të dashur, por asnjëherë nuk ka qëndruar për shumë kohë pa ardhur tek ajo se e merrte malli për njerëzit e sokakët e tij. Në ditët e Festivalit Folklorik Kombëtar, prof. Mumtazin do ta shikoje në sheshin e kalasë me dosje në dorë, duke skicuar e vizatuar artistë popullorë nga gjithë vendi të veshur me kostume befasuese, të shndritshme e shumëngjyrëshe si pasuri e rrallë dhe e çmuar e etnografisë tonë kombëtare që profesori i vlerësonte maksimalisht.
“Qytetar Nderi”
Një ditë marsi të vitit 2016, po e ndiqja me vëmendje rrëfimin e Mumtaz Dhramit në një emision televiziv. E kam dëgjuar gjithmonë me respekt e me vëmendje atë dhe e vlerësoj maksimalisht për mençurinë e fjalës, nivelin e tij të lartë intelektual, integritetin qytetar, dashurinë për njerëzit, si edhe kontributin e tij në trashëgiminë tonë kombëtare. Si foli për rreth dy orë mbi zhvillimin e kulturës në vend, kontributin e artistëve dhe intelektualëve, si dhe gjithë jetën e tij nga fëmijëria deri më sot, një jetë e mbushur plot me një krijimtari të gjerë e me nivel të lartë artistik si skulptor, profesor në Akademinë e Arteve, qytetar i nderuar, njeri i mirë, gjirokastrit fisnik, në fund kur gazetarja e pyeti se kujt ia dedikonte gjithë këto arritje në jetën e tij, prof. Mumtazi iu përgjigj: Ia dedikoj Gjirokastrës!… Dhe përsëri filloi të fliste për qytetin e tij të lindjes, Gjirokastrën e bukur e të mençur që e do aq shumë, prandaj për të gjitha këto vlera të këtij artisti të madh e gjirokastriti fisnik, ajo e ka nderuar prof. Mumtaz Dhramin me titullin e lartë “Qytetar Nderi”. Gjirokastra për Mumtaz Dhramin është gjithçka. Prandaj e ka gjithmonë me vete në tërë qenien e tij kudo ku ndodhet, në Shqipëri apo jashtë saj, në rrugë apo në atelienë e tij, me miq gjirokastritë, në salla ekspozitash, konferenca e simpoziume dhe sa herë që i jepet rasti të flasë, të gjithë do ta ndjekin me vëmendje dhe respekt këtë intelektual me integritet të lartë, “Artistin e Popullit”. Ka qenë pikërisht 65-vjetori i lindjes së Mumtaz Dhramit, në nëntorin e vitit 2001, kur në sallën e teatrit të qytetit të Gjirokastrës u organizua edhe ceremonia e dhënies së titullit “Qytetar Nderi”, artistit të madh. “Nuk e nderojmë ne Mumtaz Dhramin, por është ai që na nderon neve dhe Gjirokastrën. Bashkia është e imponuar të respektojë korifej të këtij niveli”, do të shprehej me këtë rast, kryetari i Bashkisë, Murat Kaçi kur i dorëzoi titullin Prof. Mumtazit. Dhe mbas 15 vitesh, në nëntor të vitit 2016 u organizua një tjetër ceremoni e bukur për të festuar 80-vjetorin e mjeshtrit të skulpturës shqiptare, përsëri në Gjirokastër, në vendlindjen e artistit. Aty, gjirokastritë të nderuar, miq e shokë, intelektualë e bashkëlagjas, artistë, kolegë e ish-studentë të profesorit me respekt e dashuri, vlerësim të lartë dhe mirënjohje u mblodhën në sallat e Kalasë turistike të qytetit të gurtë për t’i uruar Prof. Mumtaz Dhramit përvjetorin. Teksa një ekspozitë me vepra të profesor Mumtazit në vite u çel në sallat e Muzeut në Kalanë e Gjirokastrës, ku vizitorët shprehën vlerësimet e larta për gjithë aktivitetin dhe veprat e krijuara nga ky artist i madh që ata i bënë të ndjehen krenarë që janë bashkëqytetarë me të.
Fjalimi i veçantë
Për të promovuar gjithë krijimtarinë dhe veprat monumentale të Mumtaz Dhramit që tashmë ndodhen në sheshe e hapësira publike në mbarë vendin, nuk do të mjaftonte të shkruhej edhe një libër i tërë. Gjithashtu, të sjellësh në këtë shkrim dashurinë që ka profesori për Gjirokastrën dhe gjirokastritët duhet të përshkruash vit pas viti të 80 vitet e jetës së tij të pandarë me vendlindjen, prandaj po sjell këtu përshëndetjen që ai bëri para gjirokastritëve në këtë ditë të shënuar të jetës së tij. “Unë e dua Gjirokastrën! Ndihem pjesë e kësaj “perandorie” prej guri dhe prej shpirti njerëzor. Ndihem tepër mirënjohës dhe i emocionuar që sot në ditën e lindjes dhe të çeljes së ekspozitës me disa nga krijimet e mia artistike ndër vite, të ndodhem në Gjirokastër në qytetin e fëmijërisë, vendin ku morën rrugë ëndrrat e mia të jetës. Erdha këtu ju vetëm për të treguar, por edhe për t’iu falënderuar për edukatën, nxitjen, frymëzimin që mora nga perandoria prej guri dhe prej shpirtit njerëzor. Gjithmonë e kam ndjerë aromën dhe dashurinë e qytetit tim. E dua pafundësisht Gjirokastrën. Ajo më lindi dhe më bëri skulptorin e saj”.
PËRSHTYPJE
Ne e duam Gjirokastrën, kurse ajo i do të gjithë!
“… Këto po mendoj tani teksa po shkruaj librin: “Ne e duam Gjirokastrën”, ku portretizoj personalitete gjirokastrite të artit dhe kulturës, por edhe të tjerë artistë popullorë që e duan Gjirokastrën e që kanë kontribuar në zhvillimin e traditave të qytetërimit të lashtë, të cilët ajo i ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi”. Ku një ndër këta personalitete është edhe prof. Mumtaz Dhrami, gjirokastritin që e duam të gjithë…
Gjirokastra si qytet magjepsës e befasues ka frymëzuar cilindo që e ka parë e jetuar në të duke e quajtur me epitete të ndryshme. Një diplomat i huaj e quajti “Perlën e Ballkanit”, Kadare “Qyteti i gurtë“, Evlia Çelepia “Qyteti i vajtimit”, Mumtaz Dhrami “Perandoria e gurtë“, Prof. Agron Fico “Qyteti i manxurasë“, unë “Gjirokastra e këngës, këngët e kafeneve”, populli “Qyteti i Festivalit” etj. Ne e duam Gjirokastrën, kurse ajo i do të gjithë!