Në këto ditë të nxehta vere, mungesa e një terminali për mjetet e transportit publik në Gjirokastër është kthyer në shqetësim për banorët që udhëtojnë në drejtim të zonave të tjera të vendit. Në mungesë të kushteve pasagjerët qëndrojnë nën diellin përvëlues të korrikut, në vendin e quajtur Ura e Lumit, në hyrje të qytetit.
Udhëtarët dhe drejtuesit e mjeteve shprehen të shqetësuar se ata janë të detyruar të presin autobuzin apo furgonin e radhës nën dielllin e nxehtë të verës apo motin e ftohtë të dimrit. “Prej disa vitesh kryej linjën e Gjirokastrës. Aktualisht këtu mungojnë kushtet normale për vendqëndrimin e autobuzit dhe pasagjerëve. Në këto ditë vere, si ne shoferët ashtu edhe pasagjerët jemi të detyruar të presim nën diellin përvëlues për orë të tëra, për të udhëtuar më pas në destinacion”, shprehet Genti Shehu, drejtues i një mjeti furgon.
Elton Kola, ka qëndruar për rreth gjysmë ore në trotuar, në pritje të autobuzit të rradhës. “Sa herë më duhet të udhëtoj jashtë Gjirokastrës, gjithmonë është e njëjta gjë. Tani në verë presim për orë të tëra nën diellin e nxehtë ndërkohë që në muajt e dimrit jemi të detyruar të rimë mes të ftohtit. Këtu nuk ka një godinë të përshtatshme për vendqëndrimin e autobuzëve apo udhëtarëve”, thotë ai. Më e vështirë në këto ditë verë bëhet pritja e autobuzit të rradhës për fëmijtë që udhëtojnë së bashku me prindërit e tyre.
“Këtu ku qëndrojmë, të përvëlon dielli dhe të mbyt pluhuri. Të dy fëmijtë i kam lënë në njerin prej lokaleve afër Urës së Lumit dhe porsa të vijë autobuzi do të shkoj ti marë”, thotë Sonja Kaso, e cila do të udhëtojë se bashku me fëmijët e saj.
Sipas përfaqsuesve të bashkisë së Gjirokastrës në buxhetin e këtij viti nuk janë programuar investime për ndërtimin e terminalit. “Bashkia me fondet e saj nuk ka planifikuar për këtë vit ndërtimin e terminalit të udhëtarëve pasi një projekt i tille do të kërkonte financime të mëdha”, shprehet nënkryetari i Bashkisë, Vangjel Muço. Zbatimi i këtij projekti do të ndihmonte jo vetëm banorët e Gjirokastrës por edhe turistët që udhëtojnë në drejtim të destinacioneve të ndryshme./konica.al