Në Ballsh kanë qenë të mbërthyer nga grumbullimet e Kombëtareve, ndërsa disa prej lojtarëve titullarë vijojnë të jenë të angazhuar me përfaqësueset e tyre. Marku dhe Përndreca pritet të aktivizohen në miqësoren ndaj Uzbekistanit, ndërsa Kamara është grumbulluar me Niger për dy sfidat kundër Libisë dhe Togos. Trajneri Mirel Josa pritet ta ketë grupin e plotë vetëm në mesjavë, por pavarësisht kësaj, mallakastriotët synojnë një rezultat pozitiv në transfertën e Rrogozhinë ndaj Egnatia.
Bylisi pritet të ketë disa rikthime të rëndësishme për këtë përballje. Bruno në mbrojtje dhe Koxhaj në mesfushë pritet të jenë në dispozicion të trajnerit, ndërsa edhe Serxhio Emini, i cili ka marrë minuta me ekipin B, shihet si një alternativë shtesë në repartin ofensiv. Ndërkohë, mbetet për t’u vlerësuar gjendja e Përgjonit, i cili u dëmtua në ndeshjen e fundit ndaj vlonjatëve. Një lajm pozitiv për Josën është mungesa e pezullimeve, çka i jep mundësinë të udhëtojë drejt Rrogozhinës me grupin më të plotë të mundshëm për një sfidë mjaft të rëndësishme ndaj një prej ekipeve më të forta të kampionatit.
Pjesa tjetër e skuadrës që ka qëndruar në Ballsh ka zhvilluar stërvitje me ngarkesa të kontrolluara, pasi stafi teknik nuk ka dashur të rrezikojë lodhjen e lojtarëve në këtë fazë vendimtare të sezonit. Me rikthimin e të gjithë grupit, pritet të zhvillohet edhe një test kontrolli, ku do të përcaktohet formacioni titullar. Bylisi synon që në fazën e katërt të kampionatit të jetë sa më i suksesshëm, duke grumbulluar sa më shumë pikë. Edhe pse historikisht ka hasur vështirësi në transfertat në Rrogozhinë, këtë herë përballet me një Egnatia të “plagosur”, për shkak të mungesave në staf dhe në skuadër, çka mund të jetë një mundësi e mirë për ballshiotët që të dalin me rezultat pozitiv.








