Altin Lala, ish-kapiteni legjendar i Kombëtares, u ndal të fliste nga Varshava, pak para ndeshjes me Poloninë.
“Janë ndeshje jashtëzakonisht të rëndësishme. Kjo mund të jetë ndeshja më e rëndësishme e Kombëtares, do të thosha mbas atyre dy kualifikimeve. Kjo është në të vërtetë një ndeshje shumë e rëndësishme. Shpresoj që ta fitojmë.
Motivim për të tjerët nëse do isha në ekip? Absolutisht që s’ke nevojë të motivosh. Po të motivosh një lojtar në këtë ndeshje, ai lojtar s’duhet të luajë futboll fare. Këtu s’ka nevojë fare për motivim, sepse është shumë e qartë, po themi, qëllimi dhe përgjegjësia e çdo lojtari është jashtëzakonisht e madhe. Kështu që unë mendoj që trajneri do t’u japë atyre një suport nga ana mentale, komplet stafi. Asnjë lojtar s’ka nevojë për frymëzim, më tepër për qetësim, do të thosha.
Muçi? Po, Muçi ka bërë jashtëzakonisht shumë mirë. Faktikisht, unë edhe e kisha futur, pse jo. Por shpresoj që ne ta mbajmë rezultatin me zero, mos të pësojmë gola dhe pastaj ndoshta ta aktivizojmë minimumi tridhjetë minuta, e shikoj Muçin në fushë. Edhe Mehmeti ndoshta ka performancë të mirë dhe unë gjithmonë e them për lojtarët që kanë minutazh dhe kanë edhe besim ose vetëbesim nga kampionatet e tyre, nga lojërat e zhvilluara, duhet të aktivizohen. Ne kemi pasur një ngritje të kombëtares.
Çunat kanë vetëbesim, shumica prej tyre kanë luajtur edhe në Europian, kështu që edhe ata e dinë rëndësinë e ndeshjes. Unë kam besim sot që kemi shanse shumë të mira. Është ndeshje e vështirë. Shpresoj që njëherë ta mbajmë atë zero mbrapa dhe pastaj këto tifozët që të jenë me Poloninë, pas tridhjetë minutash t’i vërshëllenin skuadrës së tyre. Kështu që ky është qëllimi mendoj për ne dhe shanset do t’i kemi, dy-tre shanse do t’i kemi në këtë ndeshje që të shënojmë”.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









