Ndonëse pritej të kishte një reagim publik nga Vangjel Tavo për ngjarjen e rëndë në Dropull, duke qenë se ai është i lidhur më shumë se kushdo deputet tjetër me minoritetin këtu, kjo nuk ndodhi.
Siç raportuam më herët, Tavo kishte postuar në faqen e tij në Facebook një shkrim që s’kishte lidhje me ngjarjen në fjalë, por ai ishte fizikisht në Dropull. Burime të ArgjiroLajm.net thonë se Tavo gjatë mbrëmjes kishte mbledhur në fshatin Dervician njerëz të tij të afërt, bashkëpunëtorë dhe drejtues të ndryshëm në minoritet.
Mes tyre ishte dhe ish-ministri i dënuar për korrupsion dhe shpërdorim të fondeve publike, Spiro Ksera. Nuk dihet çfarë është diskutuar në këtë takim, por ka zëra që thonë se kishte një lloj zemërimi deri në kufijtë e revoltës për ngjarjen në Bularat. Mbetet të presim nëse do të kemi apo jo një reagim nga përfaqësuesit e minoritetit. Deri tani s’ka deklaratë as nga OMONIA, as nga PBDNJ. I vetmi reagim ishte i qeverisë greke dhe kryeministrit Edi Rama.
©ArgjiroLajm.net