Rreth 300 gr tritol shpërtheu mbrëmë në banesën e shtetasit Fadil Tola në fshatin Shtëpëz në Gjirokastër. Burime të Argjirolajm.net në Policinë e Gjirokastrës thonë se deri më tani janë 10 persona të shoqëruar për këtë ngjarje, por ende s’ka asnjë të dyshuar.
Mësohet se në momentin e shpërthimit në banesë ka qenë i zoti i shtëpisë, Fadil Tola me vajzën dhe nipin. Në polici ai ka deklaruar se nuk ka konflikte me persona të tjerë. Grupi hetimor po heton në disa pista për këtë ngjarje, por pa dhënë detaje më tepër se cilat janë këto pista.
Shpërthimin e fuqishëm në banesën e Fadil Tolës e kanë dëgjuar edhe fqinjët e tij. Për Tv Gjirokastra një grua e moshuar thotë se ndihet e tronditur nga ngjarja. “Na u tund shtëpia”, tregon gruaja e moshuar.
Ajo thotë se nuk di që Tola të ketë pasur probleme me persona të tjerë. Argjirolajm.net sjell pamje të shtëpisë dhe vendit ku ndodhi shpërthimi.