Dinamo do të luajë sot ndeshjen e radhës në kampionat, ku përballë do të ketë Elbasanin.
Blutë kanë një barazim e një humbje në ndeshjet e fundit të Superiores, megjithatë kryeqytetasit janë të bindur se dy ndeshjet kanë qenë vetëm një moment i keq dhe nuk është një krizë në skuadër. Kështu, ndaj Elbasanit do të kërkohet vetëm fitorja për të konfirmuar se gjithçka ka kaluar dhe se blutë janë skuadër pretendente për të fituar titullin kampion këtë sezon, që do t’i shtohej Kupës së Shqipërisë dhe Superkupës së fituar në vitin e fundit.
ILIR DAJA- Trajneri i Dinamos e ka me fat Elbasanin dhe është një skuadër që di ta mundë. Trajneri kryeqytetas ka fituar ndaj Elbasanit edhe para se këta të fundit të ndërronin emrin, ndërkohë që AF Elbasanin e ka mundur 2 herë në 5 ndeshjet që kanë pasur kundër. 2 të tjera janë mbyllur në barazim dhe vetëm një herë ka fituar Elbasani kundër Ilir Dajës. Natyrisht në dy sezonet e fundit, Dinamo ka rritur nivelin e skuadrës dhe jo më kot ka arritur të fitojë dy trofe duke zbritur nga froni Egnatian, ndërkohë që kualiteti që ka në skuadër, i jep besim stafit teknik se mund të rikthehen në lojë edhe pse ka mungesa të shumta në skuadër.
GJENDJA E SKUADRËS- Daja do të detyrohet të bëjë pa shërbimet e shumë lojtarëve, ku Aliji e Maliqi janë lojtarë që do të mungojnë më gjatë, me të fundit që ka mbyllur sezonin ndërkohë që edhe Neziri e Qefalija do të mungojnë disa ditë në kampin blu. Lajmi i mirë është rikthimi i Beqjes që ka lënë pas dëmtimin e pësuar javë më parë dhe ndaj Elbasanit, mund të japë kontributin e tij pas një mungese relativisht të gjatë. Lorrani i larguar i dëmtuar nga sfida e fundit, do të jetë jashtë edhe për këtë takim dhe shpresohet që të rikuperohet në kohë për sfidën e fundit të janarit ndaj Bylisit.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb








