Një ditë pas aksidentit të rëndë në “Qafën e Koshovicës”, polici i qarkullimit rrugor, Klajdi Musta, ka rrëfyer momentet dramatike ku rastësisht u gjend pranë vendit të ngjarjes dhe u erdhi në ndihmë të lënduarve. 29-vjeçari arriti t’i shpëtojë nga një tragjedi e mundshme, pasi pas përmbysjes, automjeti rrezikonte të shpërthente në flakë.
“Nuk mund ta quaj veten hero, pasi çdo punonjës policie është i mirëtrajnuar për situata të tilla,” – shprehet Klajdi.
Sipas tij, gjithçka ndodhi në sekonda: fillimisht nxori nga mjeti një fëmijë dhe shuajti zjarrin që kishte nisur, më pas ndihmoi drejtuesin dhe pasagjerët e tjerë.
“Kam marrë shumë falënderime, nga qytetarët, drejtuesit e policisë e deri te kryeministri, por kjo është detyra jonë – të shpëtojmë jetë, pavarësisht situatës dhe orarit të shërbimit,” – thekson ai.
Klajdi pranon se nuk mendoi as për jetën e tij në ato momente, duke u përqendruar vetëm tek thirrjet për ndihmë. Ai shton se ende nuk ka kontaktuar me familjarët e të lënduarve, pasi e gjithë vëmendja e tyre është tek shëndeti pas aksidentit.
29-vjeçari, që është edhe jurist në përfundim të Bachelor-it, thotë se kishte ëndërr gjithmonë të ishte pjesë e uniformave blu dhe do ta bënte pa hezitim të njëjtin veprim në çdo situatë tjetër të ngjashme.
Në fund, ai bën apel për të gjithë drejtuesit e automjeteve: “Respektoni sinjalistikën rrugore. Një moment pakujdesie mund të kushtojë jetë.”









