Në Torino, Kenan Yildiz shihet si ylli i së ardhmes, qendra e projektit, për këtë arsye drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” po punojnë prej kohësh për të blinduar “xhevahirin” e tyre më të çmuar. Juve shpresonte që të bindte fantazistin turk duke i shprehur të gjithë dashurinë, duke i dhuruar numrin 10-të, duke bërë gjithçka që ai të ndihet sa më mirë, por në fund duhen edhe para, por oferta e tyre prej 4,5 milionë euro nuk u pranua nga përfaqësuesit e Yildiz duke detyruar tani Juven të ngrejë stekën.
Sipas TuttoSport, tani “Zonja e Vjetër” ka vendosur të hap portofolin duke i ofruar Yildiz një kontratë të re deri në 2031 dhe 6 milionë euro në sezon, një pagë e denjë për një “top-player”. Kjo është një tjetër lëvizje për t’i treguar Yildiz se sa i rëndësishëm është për ekipin, por nga ana tjetër është një kontratë me të cilën kërkon të mbajë larg Real Madrid apo ekipe të tjera nga Premier League që janë gati ta “veshin me ar”.
Jo vetëm oferta e fundit, por edhe marrëdhënia që Yildiz ka krijuar me Spallettin pritet të jenë përcaktues në gjetjen e një akordi të shpejtë. Me Spallettin në stol, Yildiz ka rilindur pasi ka realizuar 5 gola dhe ka dhuruar 2 asiste.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb






