Brenda një 90-minutëshi janë njerëzit më të kontestuar. Nëse një futbollist, skuadër apo trajner e vërshëllejnë gjysma e tifozërisë, pra, ajo kundërshtare, kur vjen puna te “xhaketat e zeza”, kontestimi vjen nga i gjithë stadiumi. Një rivënie e akorduar gabim, një 11- metërsh i mohuar, një karton i dhënë pa të drejtë e shumë nga këto situata i vendosin gjyqtarët nën presionin dhe trysninë e publikut të pranishëm në stadium dhe jo vetëm. Mirëpo, nëse për futbollistët nuk ka shumë sekrete për jetën e tyre në lidhje me shkollimin dhe profesionin, për arbitrat ka shumë anë “të errëta”, të cilat nuk janë bërë me dije.
Por, secili prej 18 arbitrave kryesorë në Kategorinë Superiore ka një profesion dhe punë të tijën në përditshmëri.Bëhet fjalë për deklarimet e vetë “bilbilave” të Superiores, në momentin që kanë plotësuar dokumentacionin e punëmarrësit pranë institucionit të futbollit në vend. Nga sa vihet re, gjyqtarët elitarë në vend u përkasin profesioneve të ndryshme.
Nga ai i inxhinierit deri te profesioni i gazetarit.Gjithashtu, ka të tillë profesione të rrezikshme, si ai i zjarrfikësit apo edhe që merren me estetikën, si ai i stilistit. Në radhët e arbitrave ka gjithashtu të punësuar si psikologë, mësues të edukimit fizik, por edhe të matematikës, ekonomistë, menaxherë të shitjeve, deri te profesioni i kancelarit pranë një universiteti. Mirëpo, momentalisht, në radhët e tyre rezulton edhe një… i papunë, kjo sa i përket të dhënave të deklaruara të gjithsecilit pranë institucionit të futbollit, në sektorin e arbitrimit.
Në krye të listës është gjyqtari i kolegjiumit të Elbasanit, Enea Jorgji. Një nga stemat e FIFA-s në vend, i cili së bashku me gjyqtarin tjetër ndërkombëtar, Juxhin Xhaja, i përkasin profesionit të ekonomistit. I pari, pranë Bashkisë së Elbasanit, ndërkohë që i dyti, në zyrat qendrore të Hipotekës. Prej arbitrave kryesorë të Superiores, 7 janë mësues.
Koçi, Kola, Sino, Cjapi, Ferataj, Shahini e Sadiku i përkasin të njëjtit profesion në përditshmërinë e tyre, por ky i fundit përbën dallim nga të tjerët.Nëse gjashtë të parët zhvillojnë orën e edukimit fizik, Remzi Sadiku i kolegjiumit të Elbasanit jep lëndën e matematikës. Në këtë rast vlen si këshillë për të gjithë futbollistët që ndaj tij, çdo minutë apo karton, është i përllogaritur me saktësinë e një profesionisti.
Pak javë më parë ishte pikërisht Meta që arbitroi në humbjen e thellë të Partizanit në Gjirokastër, kur edhe vetë kryesori lavdëroi Abazajn për golin e shënuar. Në fakt, kush më mirë se një kancelar pranë universitetit do të dijë të japë një vlerësim akademik për një gol të tillë që rrallëherë shihet në futbollin shqiptar?