Nga Fatos Lubonja
Ngjarja e Bularatit flet shumë për atë se çfarë ka ndodhur këta 27 vjet, që rëndom i kemi quajtur tranzicion drejt vlerave më të mira europiane. Ajo flet për një nga aspektet më të rënda të dështimit të këtij “tranzicionit”, që sot meriton të quhet “rrugë e gabuar” që na ka çuar drejt falimentimesh të shumta, ku spikat falimentimi kulturor. Nuk di si ta përkufizoj këtë falimentim kulturor, por më duket se më së shumti do ta quaja degradim të kulturës nacional-komuniste, që na la komunizmi, të karakterizuar nga izolimi prej kulturave të tjera, nga manipulimi dhe gënjeshtra propagandistike si dhe nga një lloj skizofrenie infantile – jo në kuptimin e skizofrenisë si sëmundje psikike, por të ndarjes së mendjes në bardhë e zinë emocionale ku mungojnë nuancat e mendimit kritik racional – ku, gjithmonë, të zinjtë janë të tjerët, kurse të bardhët jemi ne. Ndryshe, këtë izolim kulturor do ta ilustroja duke i sjellë lexuesit reagimin që më çoi një bashkatdhetar që jeton prej kohësh në Europën Perëndimore: “Greqia ka gomarët dhe derrat e vet”, – thotë Kryeministri! Çfarë niveli! Gjermanisht as nuk mund të përkthehet sepse këtu me derrin dhe gomarin asociohen thjesht kafshë të mira, me të cilat fëmijët luajnë në shtëpi, që të vegjël e shkojnë i përkëdhelin nëpër parqe […]! Kur Kryeministri flet kështu, çfarë të konstatosh mbi zhvillimin e Shqipërisë!”.
E pra, po të kishim bërë sadopak hapa para drejt një kulture tjetër, ngjarja e Bularatit duhet të na ndihmonte të reflektonim shumë më thellë lidhur me ne “derrat” dhe “gomarët” që jetojmë në Shqipëri (edhe në Greqi, por në këtë shkrim preferoj të merrem me bashkëkombësit e mi).
Së pari, ne na duhet të reflektojmë shumë më tepër për atë që ka ndodhur në mendjen e Kaçifasit derisa ka arritur të kryejë aktin që kreu. Ashtu siç reflektohet nga mendjet e kthjellëta në Perëndim, me mendim kritik, për terroristët që janë brezi i atyre emigrantëve që kanë lindur dhe janë edukuar atje, në kërkim të kuptimit të këtyre akteve, të përgjigjes ndaj pyetjes: çfarë kemi bërë gabim këtu në vendin tonë që këta sillen kështu, nga vjen gjithë kjo urrejtje? (Sipas studimeve serioze rezulton se shumica kanë pësuar poshtërime.)
Them se edhe akti i Kaçifasit dhe mbështetja që ai gjeti te minoritarët duhet të na bëjë të mendojmë një çikë më shumë se çfarë Shqipërie kemi bërë ne për veten, por edhe për minoritarët grekë, që janë, edhe ata, shtetas shqiptarë. Dhe po të thellohemi sadopak, nuk mund të mos na vijë në mendje fakti se 52% e shqiptarëve duan të shkojnë jashtë, pasi në vendin tonë jeta është bërë gjithnjë e më e padurueshme për shkak të bandave kriminale të veshura me pushtet politik që na qeverisin. Mos vallë, atëherë, përderisa vetë shqiptarët i urrejnë e i luftojnë kaq shumë shqiptarët, nuk duhet të çuditemi kur shohim ndër minoritarët grekë edhe nga ata që jo vetëm nuk na duan, por edhe ëndërrojnë që territori i tyre të bëhet Greqi?
Dhe ja ku shfaqet skizofrenia e parë: në vend se të reflektojnë mbi gjithë këtë problematikë, shumë nga ata shqiptarë që thonë se Shqipëria nuk bëhet me njerëz si Edi Rama e me kriminelët që e rrethojnë, ulërasin kundër minoritarëve grekë, që i urryekan shqiptarët, edhe pse atyre u paskemi krijuar kushtet optimale të jetës. Jo vetëm, por sa lehtësisht manipulohen për të pranuar si udhëheqës të kësaj ndjenje urrejtjeje identitare atë që urrejnë edhe vetë Edi Ramën! Pak më shumë reflektim të dashur bashkatdhetarë. Mos vallë patriotizmi nuk është vetëmburrja dhe urrejtja për të tjerët, por puna për të ndërtuar një shtet serioz që punon për ne, përfshirë dhe minoritarët grekë, dhe jo për hajdutët dhe kriminelët?
Së dyti, le të kthehemi te ngjarja.
Kur ndodhi vrasja e Kaçifasit, Kryeministri ynë dhe shumë që e pasuan, jo vetëm nuk u ndalën sadopak për të reflektuar sa më sipër thashë, por nuk shprehën asnjë rezervë për aktin e vrasjes së këtij personi. Për ta bërë sa më armik, Kaçifasi u paraqit nëpër media i veshur vetëm me një rrobë, atë ushtarake, sikur të donin t’ia zhvishnin anën e tij njerëzore dhe askush nuk kërkoi të mësojë diçka më shumë jo vetëm se çfarë e ka çuar atë tek urrejtja, por as rrethanat e ngjarjes, as nëse ata të Reneas morën ndonjë urdhër më nga lart për ta vrarë apo e vranë ashtu, për qejf, me kokën e tyre. Vrasja thjesht u brohorit me krenarinë kombëtare se jemi edhe ne të fortë e s’mund të lejojmë të na provokojë kështu një grek, se ia treguam vendin “grekut të m…”; se boll shqiptarë na kanë vrarë ata në Greqi.
Pastaj erdhi reagimi i politikanëve grekë si dhe ai me ngjarjen e varrimit me parullat e papranueshme antishqiptare dhe brenda pak ditësh po të njëjtët mburracakë të krenarisë së dhunës filluan të sillen si mburracakë të krenarisë së urtësisë që filluan të thonë: treguam epërsinë e madhe ndaj grekëve, duke mos rënë pre e provokimeve të tyre.
Mirëpo, sikur të vesh sadopak trurin në veprim, nuk mund të mos ngresh pyetjen: po përse nuk treguam të njëjtën urtësi për të evituar ngjarjen e parë. Pse Kaçifasi nuk u kap pa u vrarë dhe të shkonte të përgjigjej përpara drejtësisë, sepse, me aq sa dimë, ky ka qëlluar në ajër e drejt Policisë jo aq për të vrarë sesa për të shprehur një mllef dhe pastaj ka marrë arratinë për të shpëtuar nga ndjekja prej trupave të Reneas, që u thirrën nga Policia. A nuk do të ishte kapja e tij gjallë, në respekt të jetës njerëzore, por edhe të ligjit të moskapërcimit të kufijve të mbrojtjes së nevojshme dhe pastaj çuarja e tij përpara drejtësisë, urtësia dhe dinjiteti i vërtetë që duhet të tregojë shteti që duam dhe jo dhuna ekstreme ndaj më të dobëtit dhe pastaj zbythja nga më i forti?
E këtu, së treti, le të ndalemi të reflektojmë një çikë më shumë për ata se historia na mëson se dhuna dhe poshtërimi ndaj atyre pakicave që janë të ndryshme nga ne, sepse janë hebrenj, romë, të zinj, shqiptarë, grekë, serbë, myslimanë, të krishterë, homoseksualë apo transeksualë, është hapi i parë që i hap rrugën dhunës që mund të pësojnë të gjithë nga njerëzit e dhunës që pretendojë se përfaqësojnë maxhorancat. Dmth, duhet të reflektojmë një çikë më shumë për atë se ajo që i ndodhi “grekut të m…”, Kaçifas, është ajo që na ka ndodhur e rrezikon të na ndodhë edhe më rëndë ne “shqiptarëve të m…” nga njerëz që kulturën e dhunës ndaj më të dobëtit dhe zbythjen ndaj më të fortit e kanë mënyrë sjelljeje e qeverisjeje.
Mjafton të kthejmë kokën prapa dhe do të gjejmë raste pa fund ku kjo kulturë ka prodhuar poshtërim e vrasje të shqiptarit nga shqiptari. Shembullin më të freskët e keni këto ditë tek ajo që po ndodh me planin kriminal të shembjes së shtëpive dhe dyqaneve të banorëve tek “Astiri”. Mos kujtoni se kjo histori nuk ka lidhje me atë që ndodhi në Bularat dhe mos u çuditni nëse nesër ju ndodh që, teksa protestoni paksa dhunshëm, të vijë Renea dhe t’ju vrasë me plumb pa e vrarë mendjen aspak për respektin ndaj jetës njerëzore dhe të ligjit mbi moskapërcimin e mbrojtjes së nevojshme. /panorama/