Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, që pas ngjarjeve të Bularatit ku mbeti i vrarë nga policia një i ri ekstremist shqiptaro-grek dhe incidenteve në ceremoninë e varrimit të tij, ka refuzuar sistematikisht që të japë intervista dhe prononcime, për mediat greke.
Por akullin e ka thyer ditën e djeshme, me rastin e një konference ndërkombëtare për median dhe lajmet e rreme, duke i dhënë një intervistë agjencinë shtetërore të lajmeve në Greqi, AMPE (agjencia athinase dhe maqedonase e lajmeve), e marrë nga drejtori i përgjithshëm të agjencisë, Mihalis Psihos. Ngjarja e Bularatit nuk është përmendur, por Rama ka folur politikisht për marrëdhëniet me Greqinë, si dhe për një takim të mundshëm me kryeministrin Alexis Tsipras.
“Marrëdhëniet shqiptaro-greke janë historike dhe tradicionale fqinjësie, e si ndodh gjithnjë me fqinjët, nuk ecin gjërat gjithmonë në mënyrë të përkryer. Kjo dihet nga vetë eksperienca me çdo fqinj, si në një fshat, në një qytet apo akoma dhe mes vendeve, janë gjithmonë njësoj” theksoi në intervistë kryeministri Rama duke shtuar me humor, se “këtë e koncepton më mirë në një ndeshje futbolli mes fqinjëve, është si luftë…”.
Gjithashtu ai ka bërë një tërheqje nga deklaratat provokative, pas vrasjes në Bularat, duke shtrirë dorën drejt Greqisë.
“Jemi shumë të gatshëm të përmirësojmë këtë marrëdhënie në bazë përditshme, vazhdimisht dhe këtë e vërtetojmë me vepra. Ndodhin disa herë edhe incidente, duhet t’i përballojmë sepse ndodhin, por tashmë marrëdhëniet janë pozitive dhe çfarë është më e rëndësishme, nuk ka urrejtje mes dy popujve. Grekët e duan Shqipërinë dhe Shqiptarët e duan Greqinë, pjesa tjetër është thjesht politikë”, thotë mes të tjerave Edi Rama në këtë intervistë për AMNA.