Sot mbushen tre vjet nga ngjarja që terrorizoi Dropullin dhe trazoi më pas raportet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Për gati pesë orë, ekstremisti Kostandin Kacifas terrorizoi me armë fshatin e tij të lindjes, Bularatin. Më pas ndërhynë forcat RENEA nga Tirana për neutralizimin e situatës. Kacifas qëlloi ndaj policisë disa herë dhe nuk pranoi të dorëzohej. Më pas ai bëri vetëvrasje me armën që kishte. Policia sekuestroi një kallashnikov, dy karikatorë, një çantë me fishekë luftarakë, 31 gëzhoja, ndërsa në banesë uniforma ushtarake. Konstantinos Kacifa minoritar me origjinë nga Bularati hyri në Shqipëri në datë 2 tetor, ndërsa në ditët e fundit kishte vendosur disa flamuj grek në fshat. Pas 3 vitesh, Prokuroria e Gjirokastrës ka përfunduar hetimet, duke dalë në përfundimin se 35-vjeçari kreu vetëvrasje. Sipas Prokurorisë, veprimet e RENEA ishin korrekte gjatë aksionit për kapjen e tij dhe se minoritari grek kreu vetëvrasje. Ndërkohë, Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër hodhi poshtë kërkesën e prokurorit Julian Çafka, për të përfunduar hetimin për vdekjen e 35-vjeçarit Konstantinos Kaçifas. Në të njëjtën kohë, u kërkua që të vazhdohet hetimi, nëpërmjet veprime hetimore shtesë në përputhje me dispozitat ligjore.









