Ngjarje e rëndë në Himarë. Mëngjesin e sotëm është mbytur në afërsi të Gjirit të Gjipesë një peshkarexhë, në të cilën ndodheshin Robert Rama 50 vjeç, bashkë me gruan M.R dhe 2 djemtë e tij, përkatësisht F. R dhe A. R.
Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes kanë treguar se peshkarexhën e ka zënë stuhia dhe si pasojë është mbytur gruaja. Ndërkohë, peshkatari dhe 2 djemtë janë gjallë. Ata janë shpëtuar nga rojet bregdetare dhe një mjet lundrues i rastit. Por, një nga djemtë ndodhet në spitalin e Vlorës në gjendje të rëndë për jetën. Sakaq, në det vijojnë kërkimet për gjetjen e trupit të gruas.
Më herët, Policia bëri thirrje që pushesit të mos dalin në det, pasi vendi ynë është “pushtuar” nga motit i keq dhe me shi. Po kështu, për të gjithë drejtuesit e mjeteve lundruese, Policia ka kërkuar që të mos dalin në det me mjetet e tyre lundruese deri në qetësimin e motit.