Java që sapo ka nisur do të ketë zhvillime të rëndësishme politike. Socialistët mbledhin të shtunën Asamblenë Kombëtare, ku krahas zgjedhjes së Kryesisë së re të PS-së, pritet të bëhet edhe prezantimi i zv.ministrave të rinj të kabinetit ‘Rama 2’. E po kështu gjatë kësaj jave do të zyrtarizohen emrat e rinj të Prefektëve në qarqe. Sa i përket Gjirokastrës, Odise Kote mbetet kandidatura më e mundshme për t’u emëruar në këtë post.
ArgjiroLajm.net raportoi për ngjitjen e Kotes drejt Prefekturës në gusht të këtij viti, ndonëse asokohe ai nuk e kishte konsensusin e të tre deputetëve të qarkut, Bledi Çuçi, Mirela Kumbaro dhe Flamur Golemi. Gati dy muaj më vonë, shumë ujëra kanë rrjedhur e konjuktura kanë ndryshuar dhe duket se emri i tij shkon në tryezën e kryeministrit Edi Rama, si propozim konsensual i të tre deputetëve.
Megjithatë mbetet për t’u parë nëse Kryeministri do ta miratojë emrin e tij. Hezitimi për Odise Koten, nuk ka të bëj me staturën e tij apo vlerësimin që Rama mund të ketë për ish krahun e djathtë të Flamur Bimes dhe sot Zamira Ramit sesa për maninë e Kryeministrit që të promovojë më së shumti femrat.
Thënë kjo, Odise Kote mund të mos emërohet në postin e Prefektit të Gjirokastrës nëse Edi Rama do të preferojë ndonjë femër në vend të tij.
Dhe për hir të së vërtetës janë disa që po lobojnë lart, aty ku ndahet ‘tepsia’ që socialistët e morën të gjithën për vete në 25 qershor. Mbetet të presim se si do të rrjedhin gjërat.
/ArgjiroLajm.net/