Gazetarja dhe prezantuesja e njohur Lauren Sánchez Bezos ka zbuluar se është e hapur ndaj idesë për të zgjeruar familjen me bashkëshortin e saj, Jeff Bezos.
Në një intervistë për The New York Times, 56-vjeçarja u shpreh pa hezitim: “Do të bëja një fëmijë edhe nesër. Nesër.” Megjithatë, përfaqësues të saj sqaruan më pas se ajo nuk është aktualisht në pritje të ëmbël, por thjesht nuk e përjashton mundësinë për një tjetër fëmijë në të ardhmen.
Çifti kurorëzoi dashurinë e tyre në një dasmë madhështore në Venecia më 27 qershor, duke bashkuar kështu dy familjet e tyre të mëdha. Së bashku, ata kanë një familje të përzier me shtatë fëmijë nga marrëdhëniet e mëparshme.
Jeff Bezos është baba i katër fëmijëve nga martesa me ish-bashkëshorten MacKenzie Scott, ndërsa Lauren ka tre fëmijë: djalin Nikko nga lidhja me Tony Gonzales dhe dy fëmijë të tjerë, Evan dhe Ella, nga martesa me Patrick Whitesell.
Sánchez ka folur shpesh për rëndësinë e familjes në jetën e saj. Ajo kujtoi me emocion një nga momentet më të veçanta të dasmës: fjalimet e fëmijëve. “Momenti më i rëndësishëm ishte kur fëmijët tanë folën,” u shpreh ajo, duke theksuar se këto fjalime e bënë ceremoninë edhe më domethënëse.
Veçanërisht prekës ishte rrëfimi i djalit të saj Evan, i cili ka kaluar vështirësi me disleksinë. Ai kujtoi një moment nga fëmijëria kur shkroi për herë të parë fjalinë “Unë mund ta bëj këtë”, një kujtim që, sipas Lauren, mbetet simbol i forcës dhe besimit.
Sot, ajo thekson se familja është në qendër të gjithçkaje dhe nuk përjashton mundësinë për ta zgjeruar atë edhe më tej.









