Një studim i ri shkencor po sfidon një nga zbulimet më të rëndësishme në arkeologji, duke sugjeruar se mosha e sitit ikonik Monte Verde në Kili mund të jetë vlerësuar gabimisht deri në tre herë më e vjetër nga sa është në të vërtetë. Nëse konfirmohet, ky zbulim mund të ndryshojë rrënjësisht kuptimin tonë për kohën dhe mënyrën se si njerëzit e parë mbërritën në Amerikën e Jugut.
Për dekada, teoria dominuese ishte se banorët e parë të Amerikave i përkisnin kulturës Clovis, që besohet se kanë mbërritur rreth 13,000 vjet më parë përmes Ngushticës së Beringut. Por zbulimi i Monte Verde në vitin 1997, i datuar atëherë rreth 14,500 vjet më parë, e rrëzoi këtë teori duke sugjeruar një prani shumë më të hershme njerëzore në jug të kontinentit. Tani, një ekip i udhëhequr nga Todd Surovell nga Universiteti i Wyomingut argumenton se mosha reale e gjetjeve është shumë më e re, midis 4,200 dhe 8,200 vjet. Sipas tij, “po korrigjojmë të dhënat historike”, duke theksuar se Monte Verde nuk mund të shërbejë më si pikë referimi për kolonizimin e hershëm të Amerikave.
Studiuesit pretendojnë se datimet e mëparshme nuk morën parasysh efektet e erozionit në përroin Chinchihuapi, ku ndodhet siti. Sipas tyre, materiale shumë të vjetra nga Epoka e Akullit janë përzier me shtresa më të reja toke, duke ndikuar në rezultatet e analizave me karbon-14 dhe duke çuar në një datim të pasaktë. Një element kyç i studimit është edhe prania e hirit vullkanik nga një shpërthim i ndodhur rreth 11,000 vjet më parë, i cili u gjet poshtë artefakteve dhe jo mbi to. Ky detaj sugjeron se objektet janë depozituar më vonë, duke mbështetur teorinë se ato janë mijëra vite më të reja nga sa mendohej fillimisht. Nëse këto përfundime konfirmohen, ato mund të rihapin debatin mbi origjinën dhe kohën e migrimit të parë njerëzor në kontinentin amerikan, duke sfiduar disa nga bazat më të forta të historisë prehistorike.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









