Nga Aleksandër Çipa
Zgjedh ta ndryshoj qasjen tradicionale për urimin e ditëlindjes se 87 të shkrimtarit të madh Kadare.
Jetofsh gjatë dhe në shëndet të plotë gjirokastriti ynë, shqiptari ynë, i madhi në botën tonë Kadare!
Urimet që vijueshëm i merr dhe ke për t’i marrë, janë një formë formale e mirënjohjes e shpërndarë gjithkund ndër njerëzi, si meritim për talentin tënd të madh.
Shumë shkruhet e flitet e do të flitet, si në pashterrje të përhershme…. Por unë, sot dua ta përfshij urimin tim në fjalë-shoqërimin e ciklit të fotografive të kësaj nate në sokakun ku u ngjiz letërsia jote e parë dhe e madhe dhe ajo që pasoi. Sonte në 28 Janar 2023 jam i vetëm nëpër Sokakun e të Marrëve nëpër Palorto. Nata dhe gurët në këtë mëhallë janë një materie e madhe letrare të cilën, e kryevepërbëre, në fjalë e shkrimtarinë tënde.
Këtë cikël fotosh që munda të fiksoj sonte në telefonin tim, po ia shpërndaj botës dhe syve virtualë të mëhallës së pafundme fejsbuksiane, si copëz e shumëllojshme e terrenit dhe qytetit ku u linde. Në këtë poemë-heshtjeje apo simfoni- imazhesh, të gurit dhe natës, të mëhallës dhe Palortosë, të Gjirokastrës dhe këtij visi shqiptar, lindi 87 vite më parë në Shtëpinë Kadare, shkrimtari që e bashkëshoqëron përgjatë gjithë jetës së gjallë dhe asaj të ardhme, madhështinë e vetes të rrethuar me pakënaqësitë vocërake të bashkëkohësve dhe me lëvdimin madhor të botës në të gjitha gjuhët dhe në krejt ndërgjegjet. Jetofsh sa fama e këtij biri, lagjia e bukur Palorto! Mirënjohje i Madh!