Nga Ylli Pata
Arta Marku ka nisur dje të ç’montojë Prokurorinë e Përgjithshme nga njerëzit e Adriatik Llallës, ndërkohë që ka kryer emërimin më të rëndësishëm në kupolën e organit të akuzës.
Kryeprokurorja e përkohshme ka hequr Petrit Fushën si Prokuror i Tiranës dhe në vend të tij ka emëruar Dritan Rreshkën, njeriun që amerikanët e trajnojnë prej 4 vitesh, për të qenë njeriu që do të drejtojnë Prokurorinë Speciale(SPAK), përkatësisht organin që do të bëjë “gjuetinë e peshkaqenëve”.
Emërimi i Dritan Rreshkës ka qenë i beftë, pasi pritej që në Prokurorinë e Tiranës do të vendosej një “armik” i Adriatik Llallës, Shkëlqim Hajdari, dhe më pas kreu i Task-Forcës në Prokurorinë e Tiranës të zgjidhej në krye të SPAK-ut.
Por duket se gjërat nuk presin. SHBA dhe BE, të cilët janë realisht shtytësit e reformës në drejtësi, kanë vënë në zbatim “Planin B”, i cili konsiston në nisjen e operacionit të madh të “peshkaqenëve” me strukturat ad –hoc, pra edhe pse nuk janë konstituuar, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit.
Dritan Reshka, njeriu që u emërua dje Prokuror i Tiranës është një propozim i pastër amerikan. Ai në vitin 2015 u propozua që të bëhet kreu i një Task Force antikorrupsion e të niste që prej atëherë hetimet e “peshqve të mëdhenj”, por që nuk u dekretua nga Presidenti i atëhershëm Bujar Nishani dhe më pas u mënjanua nga Adriatik Llalla në një zyrë pa peshë.
Si Prokuror i Tiranës, Rreshka, sipas reformës në drejtësi, ka kompetenca të plotë për të hapur dosje, nisur hetimet, por edhe kryer arrestime e ndalime. Nuk i duhet asnjë izëm apo firmë nga Kryeprokurorja.
Dritan Rreshka, ashtu si Arta Marku, është një jurist që nuk ka lidhje as me “Plepat” e as me sistemin komunist. Ai është diplomuar e ka përvojë vetëm në vitet e sistemit aktual. Ka nisur universitetin pas viteve 90 dhe është diplomuar në 2001-shin. Më pas ka kryer magjistraturën ku ka marrë gradën “prokuror”.
Rreshka është prokurori i parë që në periudhën e qeverisë “Berisha” i cili themeloi “Task Forcën” ndaj krimit ekonomik dhe korrupsionit, ku bënin pjesë përveç prokurorisë edhe SHISH e policia. Është eksperti më i kualifikuar për çështjet e pastrimit, qarkullimit dhe fshehjes së parave, për të cilat është trajnuar në SHBA.
Rreshka, që nga e hëna ka përpara “provën e zjarrit” për të tronditur themelet e politikës me nisjen e gjuetisë së “peshkaqenëve”. Emërimi i tij në krye të Prokurorisë së Tiranës, duket se është prova e tij për të kaluar më pas si drejtues i SPAK, organit që do të jetë ashtu si në Kroaci, Maqedoni, Rumani etj, “tmerri” i zyrtarëve dhe politikanëve.
Lëvizjet e tjera
Kryeprokurorja Arta Marku, përveç rrokadës në Prokurorinë e Tiranës, dje ka larguar edhe Rovena Gashin, drejtuesen e Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme dhe zëvendësimin e saj me Arqile Koçiajn, prokurorin me përvojë. Rovena Gashi ka qenë një nga bashkëpunëtoret më të rëndësishme të Adriatik Llallës. Ajo u bë e njohur pasi nxori nga politika Elvis Rroshin, Shkëlqim Selamin dhe Dashamir Tahirin. Por Gashi u përplas me SHBA dhe BE-në për dy gjëra të rëndësishme.
E para ajo u akuzua se po e përdor dekriminalizimin në mënyrë selektive dhe e dyta akuzoi ambasadorin amerikan në Tiranë Donald Lu se ka shantazhuar deputetë me probleme që të votojnë reformën në drejtësi, për të cilën ajo ishte kundër. Po si e bëri Gashi dekriminalizimin në mënyrë selektive? Shembulli është pranvera e këtij viti, kur PD-ja ishte në çadër dhe LSI ishte bërë gati të linte qeverinë, duke joshur edhe disa deputetë të PS-së që nuk do të kandidoheshin nga Edi Rama.
Ilir Meta kishte bërë gati planin për rrëzimin e Edi Ramës, por ai kishte dyshimin se kryeministri mbahej në këmbë nga disa deputetë të LSI, siç ishte Shkëlqim Selami i Vlorës. Dhe Rovena Gashi me Adriatik Llallën ndërhynë në këtë moment duke hequr Selamin, që u zëvendësua nga një tjetër i listës, besnik me Metën. Kjo manovër u cilësua nga ndërkombëtarët si një lëvizje tipike politike e Prokurorisë për të ndryshuar numrat në Parlament dhe u konsiderua totalisht jo e përshtatshme për një institucion të pavarur.
Javën e kaluar, Gashi, si për të sfiduar Arta Markun dërgoi në Kuvend një shkresë për të hequr mandatin e Aqif Rakipit të PDIU-së dhe Gledion Rehovicës të LSI-së. Pra, Rehovicën nuk kërkoi t’ja largojë mandatin më parë, por vetëm sot, duke krijuar kushtet që të ketë dyshim për lëvizje selektive.
Ndërkohë, kur gati një vit më parë Ambasada Amerikane i hoqi vizën Rovena Gashit, kjo e fundit, në një letër dërguar Presidentit të atëhershëm Bujar Nishani, akuzoi ambasadorin Donald Lu se “ka shantazhuar deputetë që i prek dekriminalizimi për të votuar pro reformës në drejtësi”. Kjo akuzë është shumë e rëndë për t’u bërë nga një prokurore ndaj një diplomati të një shteti tjetër.
Zonja Gashi mund ta kishte bërë konfidencialisht vërejtjen e saj me shkrim dhe t’i kishte kërkuar Presidentit apo Ministrit të Jashtëm që të kërkonin sqarime nga ambasada e SHBA. Kurse një publikim i letrës, nuk ishte gjë tjetër vetëm një përdorim politik i organit të akuzës.
Interesant është fakti se Kryeprokurorja Arta Marku nuk ka lëvizur drejtuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda të Tiranës, apo treshen e famshme që u përball me çështjen “Tahiri” në Kuvend, që drejtohet nga prokurori Besim Hajdarmataj.
Sipas gjasave, ajo treshe nuk do të lëvizet pasi ka në dorë çështjen ndaj Saimir Tahirit, të cilët duhet ta përfundojnë. Kjo dosje do të jeta edhe prova e tyre, tani që nuk kanë një mbështetje në kupolën e Prokurorisë, por nga ana tjetër me ligj janë të pavarur që të vijojnë hetimet.