Njoftoi Policinë, duke pretenduar se i kishin vjedhur një shumë parash në banesë, por rezultoi se kishte bërë kallëzim të rremë, arrestohet në flagrancë 42-vjeçari.
Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën një sasi e vogël lënde narkotike cannabis sativa dhe 219 fishekë.
Specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Tepelenë arrestuan në flagrancë shtetasin A. S., 42 vjeç, banues në fshatin Nivicë, Tepelenë.
Ky shtetas u arrestua pasi ka njoftuar shërbimet e Policisë, duke pretenduar se i kishin vjedhur një shumë parash në banesë, por nga veprimet hetimore rezultoi se ai kishte bërë deklarim të rremë para punonjësve të Policisë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël lënde narkotike cannabis sativa dhe 219 fishekë model 56.
Materialet në ngarkim të shtetasit A. S. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Kallëzim i rremë”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.