Luftëtari 9 – Nëse mendonit se Partizani do të ishte i pandalshëm pas disa rezultateve pozitive, e kishit gabim. Luftëtari ia doli ta thyente në shtëpi, madje duke i shënuar edhe pesë gola, çka u jep merita të padiskutueshme bluzinjve, të cilët kanë zhvilluar një prej ndeshjeve më të mira të këtij sezoni, duke treguar vlerat e tyre të vërteta.
Laçi 7.5 – Kurbinasit, e drejtuar nga Gentian Mezani, ia dalin të shënojnë një gol në “moçal” dhe ta ruajnë të paprekur portën e tyre edhe në kohë të mirë. Në një ndeshje të luajtur me dy akte përballë Flamurtarit, skuadra e Mezanit bëri gjithçka për të marrë një trepikësh me vlera.
Kukësi 7.5 – Duket se makthet kanë marrë fund për kampionët në fuqi, të cilët në sfidën e djeshme gjetën forcën për të përmbysur Teutën në stadiumin “Niko Dovana”. Verilindorët treguan karakter dhe administruan rezultatin, edhe pse luajtën me një lojtar më pak për shumë minuta. Vllaznia 7 – Kuqeblutë i treguan Kamzës se në Superiore pëson disfatë atëherë kur je në momentin më të mirë. Pas një jave të ngarkuar, shkodranët siguruan një trepikësh me vlera, por që nuk i nxjerr nga zona e rrezikut të rënies nga kategoria.
Skënderbeu 7 – Korçarët i janë rikthyer fitores pas asaj humbjeje me Laçin dhe kanë thelluar sërish diferencën me ndjekësit në 11 pikë. Lushnja ishte shumë e dobët për t’u bërë ballë të besuarve të trajnerit Daja, të cilët nuk e patën shumë të vështirë të shënonin tre gola. Flamurtari 5 – Rezultati ndonjëherë nuk tregon atë që skuadrat japin realisht në fushën e lojës. Në pjesën e parë që u luajt të shtunën nuk mund të flitej për futboll, pasi fusha, e rënduar nga reshjet, s’u jepte mundësinë as vendësve dhe as Laçit të tregonin vlerat e tyre. Ndërsa dje vlonjatët luajtën vetëm në portën e miqve për të kërkuar golin e barazimit, por nuk ia dolën, duke u penalizuar edhe nga gjykimi.
Kamza 4.5 – Të fitosh ndaj Vllaznisë në “Loro Boriçi” nuk është asnjëherë e lehtë, edhe pse kuqeblutë nuk po kalonin momentin e tyre më të mirë. Pavarë- sisht humbjes, Kamza nuk u dorëzua për asnjë moment dhe tentoi deri në fund të dilte të paktën me një pikë. Lushnja 4 – Euforia pas fitores me Kukësin në transfertë, ka ndikuar për keq te Lushnja, pasi me Skënderbeun nuk ishte e njëjta histori. Myzeqarët pësuan tre gola dhe vazhdojnë të jenë në fundin e tabelës së renditjes.
Teuta 4 – Durrsakët kanë konfirmuar problemet e shumta që kanë në mbrojtje. Edhe pse shënuan të parët ndaj Kukësit, ata nuk mundën që të ruanin avantazhin dhe në fund dolën pa pikë nga stadiumi i tyre. Partizani 4 – Nëse do të kishte një notë më të ulët, pa dyshim që atë do ta meritonin të kuqtë, që kanë prekur fundin, jo në klasifikim, por në aspektin psikologjik dhe atë sportiv. Pesë golat e pësuar në Gjirokastër flasin vetë.