Intervistoi: Reldar Dedaj
Arbër Hitaj mund të konsiderohet tashmë një personalitet i ekraneve tona. Pas një përvoje të gjatë në disa prej televizioneve më të ndjekura informative në vend, u bënë disa vite që Arbri është ndalur në ekranin e Report Tv ku çdo ditë, nga e hëna në të premte, moderon një emision politik. Veçse jemi mësuar ta shohim duke bërë vazhdimisht pyetje për të tjerë, kryesisht për politikanët, “Liberale.al” e sjell gazetarin e mirënjohur në një këndvështrim ndryshe: duke u përgjigjur në rolin e të intervistuarit të Javës.
Në një intervistë për “Liberale”, Arbër Hitaj ngre shqetësimin e modelit të mbyllur politik, mungesën e një sistemi të pavarur të drejtësisë që, sipas tij, i ka shërbyer klasës së deritanishme poltike apo edhe ekonomike. “Fjalori i tyre është vulgar,- thotë Arbri, – “i pasur me terminologji sovjetike: O me mua, ose armik. Besoj se kjo qasje e lidershipit është një grahmat e fundit, edhe pse nuk besoj se është afër zhdukjes”.
Klasa politike shqiptare, reflekton referencat kulturore të vendit?
Në shumicën e rasteve unë mendoj se kjo klasë politike është pasqyrë e realitetit shoqëror në pothuajse 90% të rasteve sidomos në shtresat e mesme apo të ulëta. Por një vakum i madh unë besoj se është nga bota akademike apo te të rinjtë e talentuar. Dua ta elaboroj pak këtë aspekt, në Rumani ka një traditë politike të 15 viteve të fundit, që në zgjedhje parlamentare futen në lista të sigurta gati 15 % nga bota akademike. Kjo për ti dhënë politikës dimensionin e munguar të shkencës dhe njerëzve të dijes. Mungesë e madhe janë të rinjtë, në votimet e fundit nuk kam parë qoftë dhe një të ri të talentuar apo të spikatur me aktivizmin e tij/saj që të jetë pjesë e listave. Thënë sa më sipër liderët politikë të ndihmuar dhe nga sistemi nuk përpiqen aspak të rrisin nivelin e përfaqesimit por fokusohen vetëm te forma dhe aspak te përmbajtja e kandidatëve.
Peizazhi politik i viteve të fundit në Shqipëri ka zbuluar disa emra të rinj, edhe në moshë, si alternativë përballë forcave tradicionale të pushtetit, sipas jush, nëse për një moment vendos dhe hedh shikimin nga ata, ju duket kjo që shihni, një pamje e plotë?
Nëse i shikojmë te aspekti moshë, ka shumë individë të rinj që synojnë të thyejnë partitë e vjetra. Por nëse i shikojmë te ana e cilësisë ka të rinj që spikasin në disa veti por jo në të tjera. E mbi të gjitha janë pa rekorde pozitive profesionale, kjo ja u pamundëson lehtësirat në votime, pasi kërkojnë një kohë të gjatë të formësimit si lider. Një problem që shikoj te shumica e lëvizjeve të reja është padyshim ana ideologjike. Aty spikasin tezat e majta, në një vend ku e majta është në pushtet por nuk ka teza dhe ideologji të djathtë apo socialdemokrate, apo të ambientalistët etj. Kjo sjell një efekt zinxhir që duket në mungesën e tezave apo amulli argumentesh përballë problemeve të qytetarëve.
Në këndvështrimin tuaj, ku pjesa më e madhe e partive opozitare në vend, kryetarët e tyre i kanë subjekte të drejtësisë së re, mund të konsiderohen alternativë pushteti?
Nëse këtë pyetje do të ma drejtonit disa vite më parë do t’ju thoja që jo nuk është problem. Por në etapën e zhvillimit që ndodhet vendi ynë, mendoj që këta liderë që janë farkëtuar në diktaturë dhe qeverisur në demokraci, e kanë mbyllur misionin e tyre. Ata mund për shkak të lëkeve të pista, apo qokave kur kanë qenë në pushtet, të kenë suport, por në shoqëri nuk kanë. Është një model që nuk i flet të ardhmes, nuk i përçon asnjë emocion një 18 vjeçari. Fjalori i tyre është vulgar, i pasur me terminologji sovjetike, o me mua, ose armik. Unë besoj se kjo qasje e lidershipit është një grahmat e fundit, edhe pse nuk besoj se është afër zhdukjes. Mbi të gjitha janë lider që kanë mëkate të mëdha përpara shqiptarëve. Janë përgjegjësit kryesorë që vendi ende lëngon pothuajse në çdo sferë të jetës.
Krahasuar me vendet e tjera të ish-Lindjes, Shqipëria, është vendi i vetëm që ka konservuar jo vetëm partitë e tranzicionit, por edhe klasën politike që u prodhua nga rënia e totalitarizmit. A mund të na thoni diçka, se pse ka ndodhur kjo?
Unë besoj se problemi kryesor ka qenë mungesa e një sistemi të mirë dhe të pavarur të drejtësisë thelbi i çdo problemi që ka sot Shqipëria, e që me drejtësinë e re duket sikur ky boshllëk do të plotësohet, pavarësisht se dëmi është bërë. Në çdo vend të botës perëndimore, kur ka patur qoftë dhe skandale minore, politikanët kanë dhënë dorëheqjen, ndërsa kur janë përballur me ngjarje të rëndë korrupsioni janë përballur me drejtësinë. Në Shqipëri kapja e sistemit të drejtësisë ka sjellë amnistinë për vite e vite me radhe, duke i falur e rifalur pavarësisht bëmave që janë bërë dhe filma apo libra si rasti i Gërdecit, e shumë e shumë të tjera. Sepse këta individë kanë kontrolluar paranë e pistë, dhe kanë blerë çdo aspekt të jetë nga sporti e deri te arti. Pra thelbi i çdo padrejtësie në vendin tonë unë besoj është mungesa e drejtësisë, që shpresoj të marrë fund me reformën e filluar.
Çfarë mendimi keni për “televizionin” në Shqipëri?
Unë mendoj që televizionet janë në një udhëkryq shumë të madh përpara, sepse kemi një konkurencë të jashtëzakonshme nga rrjetet sociale dhe kemi gjithashtu një largim nga ekrani të moshave 27 e poshtë. Çfarë do të thotë se duhet të ndryshojë modeli dhe ti përshtatet gjeneratës së re, imagjino pak pas 1 dekade sa e vështirë do të jetë për një televizion të ketë audiencë, jashtë kornizës tradicionale që jemi mësuar në këto 30 vite, audienca ka ndryshuar por shikoj që televizionet shumë pak në qasje. Një problem tjetër që shikoj mbetet modeli ekonomik që me përjashtim të 5 ose 6 televizioneve në vend, pjesa e mbetur nga 63 të tillë, janë modele ekonomike të dështuara. Imagjinoni një biznes një vetëm humbet, si do të mund të mbijetojë në të ardhmen! Prandaj unë mendoj që televizonet, sidomos ato që kanë një model ekonomik me probleme do të përballen me krizë të thellë, dhe parashikoj mbylljen e shumicës; Një vend me 1.8 milion banorë nuk mund të ketë asesi 63 televizione.
Në kohën e lirë, a mund të na tregoni ju lutem, se cilin nga kolegët apo koleget ndiqni më shumë?
Unë duke qenë që jam vetë gazetar, ndjek pothuajse të gjithë zhanret e gazetarisë, duke filluar nga Top-Channel, TV Klan, News 24, Abc, Euronws apo RTSH. Pra ndjek më vëmendje spektrin mediatik vendas, përfshirë dhe në rajon sidomos në Kosovë dhe atë europian, përpiqem të ndjek mediumet por padyshim edhe kolegë të veçantë që janë të shumtë që bëjnë gazetari të mirë.
Cila është korniza profesionale, sipas jush, e një gazetari që drejton një emision mbi aktualitetin?
Varet nga dita, por padyshim parimet bazë janë gjithëpërfshirja e sa më shumë këndveshtrimeve të mundshme, politik dhe social. Korniza profesionale është të përpiqesh të hysh në dilemat apo pyetjet që kanë qytetarët dhe ato më pas tja bësh të ftuarve ose të ftuarit. E mbi të gjitha një drejtues i emisionit duhet të ketë dinamike dhe të reflektojë normat bazë të etikët profesionale dhe qytetare.
Pse kaq shumë politikë në ekran?
Para se të filloja emisionin tim në Report TV, isha për vetë me këtë dilemë por kur pashë që audienca me e madhe kërkon debat dhe kryesisht politik ju përshtata tregut. Ndoshta edhe mediat kanë përgjegjësi, por publiku është formësuar në këtë mënyrë që e kërkon debatin politik jashtëzakonisht shumë. Në matjet e mia të audiencës, njerëzit janë shumë të prirur të ndjekin politikën sidomos debatet e ashpra, por jo diskutimet për ekonominë. Kjo është diçka e trashëguar nga komunizmi, ose kulturore, por fakti është që media ushqehet me reklama që vijnë në bazë të audiencës, pra biznes i thjeshtë. Por pavarësisht kësaj ka dhe qëllim edukativ që duhet të alternohet.
Krahasuar me vendet e tjera, Shqipëria, duket se ka numrin më të vogël të mediave të specializuara. Askush nuk flet veçanërisht për modën, ushqimin, bujqësinë, kulinarinë etj. Pse ndodh kjo?
Mediat e specializuara besoj se nuk kanë treg të mjaftueshëm në vendin tonë për sa kohë jemi një vend i vogël. Televizionet e modës nuk kanë treg, ose e kanë shumë të pakët, dhe kjo ndodh me shumicën e mediave të tjera të specializuara. Pra unë mendoj është ekonomi e pastër, tregu ka atë që kërkohet, atë produkt që në fund të ditës shitet. Një media kërkon shumë investime dhe nëse nuk ka kthim të investimit atëherë shkohet në faliment, prandaj besoj që modelet me të mira mediatike janë ato gjeneraliste të parat dhe informative të dytat. Ndërsa si tema unë besoj që diskutohet por ndoshta mungesa e zhurmës dhe debatit sjell efektin sikur nuk ekzistojnë, por ekosistemi mediatik si në tema dhe media në Shqipëri unë besoj është shumë vital. Mos harroni lajme fake janë të lira për tu bërë, por gazetaria e mirë është shumë e shtrenjtë!
A mendoni të qëndroni gjatë në gazetari?
Askush nuk e di se çfarë se do të sjellë e ardhmja përfshirë dhe veten, por bota e medias për ne që e kemi pasion është aq e bukur sa po u përfshive është e vështirë të dalësh prej saj. Të jesh një gazetar profesionist unë mendoj se është mënyrë jetesë dhe jo profesion që mbaron me 8 orë dhe shkon në rutinën e përditshmme. E shoh shumë të vështirë të merrem me diçka tjetër jashtë botës së medias. Sa herë më bëhët kjo pyetje, me vjen në mendje shprehja e shkrimtarit të njohur Oskar Wilde: “presidenti i SHBA qeveris për 4 vjet, gazetarët përgjithmonë”.