Një operacion i madh policor në Greqi ka çuar në shkatërrimin e një rrjeti kriminal që merrej me trafik droge dhe emigrantësh të paligjshëm, ku mes të arrestuarve janë edhe tre priftërinj.
Njëri prej tyre, 46 vjeç, dikur prift, model, këngëtar dhe kuzhinier, është akuzuar se ruante dhe shpërndante drogë brenda një kishe në Rrugën Liosion në Athinë. Sipas hetimeve të Agjencisë Kundër Drogës, ai dilte shpesh nga kisha me rrobat e priftit për t’u shitur klientëve kokainë dhe marijuanë.
Në rrjet ishin të përfshirë edhe një grua 52-vjeçare, e cila sipas policisë ishte kreu i bandës, dhe një burrë 42-vjeçar, të dy me origjinë shqiptare. Priftërinjtë kishin rolin e “transportuesve”, por gjithashtu merreshin me ruajtjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Një prift 40-vjeçar u arrestua në Rodos, pasi mori një valixhe që përmbante 2 kilogramë e 188 gramë kokainë, të cilën ia dorëzoi një shqiptari 38-vjeçar.
Ndërkohë, prifti i tretë, 52 vjeç, ndodhet aktualisht në burgun e Komotinit, pasi u arrestua më 6 shtator për transportimin e emigrantëve të paligjshëm. Ai u kap në kilometrin e parë të rrugës kombëtare Kalcha–Siderades në Rodope, duke transportuar gjashtë emigrantë që kishin hyrë ilegalisht nga kufiri greko-turk.
Gjatë operacionit policia sekuestroi 2.2 kilogramë kokainë, 9 kilogramë marijuanë, 4 automjete, si dhe 4,380 euro dhe 24,500 lekë shqiptare.
Autoritetet greke po vijojnë hetimet për të zbuluar lidhje të mundshme të bandës me grupe të tjera kriminale që operojnë në rajon.









