Pacientët e dializës që marrin mjekim në ambientet e spitalit rajonal të Gjirokastrës kanë kundërshtuar transferimin e këtij reparti pranë Spitalit Amerikan. Ata shprehen se arsyeja e kundërshtimit të tyre është mungesa e stafit të kualifikuar pranë ambienteve të reja të trajtimit. Pacientet refuzojnë komoditetin e kushteve të munguara në spitalin shtetëror para profesionalizmit të mjekëve dhe infermierëve që prej vitesh janë kujdesur për trajtimin e tyre.
“Nuk mundë të luajë privati me jetën time. E di une cfarë kam hequr tre muaj të tërë në këtë dorë”, shprehet një prej pacientëve.
Rreth 40 pacientë të repartit të hemodializës nga i gjithë jugu i vendit kryejnë seanca trajtimi të rregullta, 3 herë në javë në të vetmen njësi shërbimi në rajonin jugor. Pacientët që janë në faza të avancuara të mosfunksionimit të veshkave përballen me problematika të shumta që nga mbështetja me transport, deri në burokracitë në marrjen e ilaçeve. Kalimi i shërbimit të dializës në Spitalin Amerikan bazohet në kontratën koncensionare të dhënë nga qeveria 5 vite më parë. Asokohe sipas një investigimi të BIRN, Ministria e Shëndetësisë i ka dhënë një koncesion 10-vjeçar shumë-milionësh një kompanie pak të njohur dhe pa eksperiencë, pronarja e së cilës ka lidhje farefisnore me drejtuesin e Spitalit Amerikan, por që jetonte me të ardhurat e një bar kafeje në Berat. Koncensioni 86 milionë dollarësh iu dha një kompanie të dyshimtë shkruante askohe BIRN.