Nga Mero Baze
Eliminimi i Qassem Soleimani, gjeneralit Iranian, që diktonte me luftë dhe ushtarë në terren, politikën e jashtëme të Iranit në Lindjen e Mesme, duke udhëhequr trupa në Irak e Siri dhe duke qenë udhërrëfyes i organizatave terroriste në rajon, është një nga ato ngjarje që mund ta ndryshojë thellë historinë e paqes në Lindjen e Mesme, dhe raportet e saj me SHBA.
Me eleminimin e tij, SHBA ka goditur asetin më të fortë të kundërshtarëve të saj dhe e vendosur kjo në kontekstin e një agresioni të mundshëm kundër saj, nën drejtimin e ish- gjeneralit famëkeq në Iran, kjo ngjan të ketë qenë dhe zgjidhja e vetme.
Reagimet që pasuan eleminimin e gjeneralit Qassem Soleimani nga Europa, si aleate e SHBA dhe vendet e tjera të botës, natyrisht nuk pritet të jenë të njëjta. Kina dhe Rusia kanë qëndrime distancuese ndaj ngjarjes, ndërsa europianët, ashtu siç u shpreh sekretari i Shtetit Mike Pompeo, “nuk kanë qenë aq të dobishëm sa unë dëshiroj që ata të mund të jenë” në këtë rast.
Por ajo që bën përshtypje, është një përpjekje për t’u tallur me liderët shqiptarë në rajon dhe Shqipëri, të cilët mbështetën sulmin, përveç presidentit Ilir Meta.
E di që ngjan paksa qesharake të thuash që SHBA në këtë rast, ka mbështetjen e Hashim Thaçit, Edi Ramës, Lulzim Bashës, Ramush Haradinajt etj, sidomos ne, që problemin me këta liderë nuk kemi a mbështesin a jo SHBA, po si sillen me ne.
E di që duket si servilizëm apo si përpjekje për t’u dukur pro-amerikanë. Por në fakt nuk është ashtu.
Pas SHBA, Shqipëria është vendi me rrezikun më të lartë për t’u prekur nga armiqësia e Iranit, pasi ajo ka strehuar nën kujdesin e SHBA, opozitën iraniane në vend.
Ky është një vendim konsensual i politikës shqiptare, që nis me vizitën e Hillary Klinton në Tiranë, në kohën që ishte kryeministër Sali Berisha më 2012, e vazhdon me John Kerry në kohën që ishte Edi Rama. Është bërë me vetëdije si një shërbim ndaj aleatit tonë të madh, SHBA.
Të gjithë liderët perëndimorë, apo aleatët e SHBA, kanë luksin të jenë të afërt me SHBA, ose të distancuar prej saj, të jenë të moderuar, apo të matur në deklaratat e tyre, por liderët shqiptarë janë të dënuar të jenë qartazi me SHBA dhe më fortë se kurrë afër saj në këtë histori, pasi jemi pjesë e të njëjtit rrezik.
Pas qytetarëve amerikanë, qytetarët shqiptarë janë po aq të rrezikuar në Shqipëri dhe në botë, nga agresioni i Iranit. Ne i kemi shpëtuar një sulmi vdekjeprurës një vit më parë, falë shërbimeve sekrete amerikane, dhe mund të ndeshemi sërish me rreziqe të tilla. Në krye të atij sulmi qëndonte pikërisht gjenerali famëkeq, që tashmë u vra.
Nuk e di çfarë e pengon Ilir Metën si president i Shqipërisë, të shprehë dhe ai mbështetjen për SHBA, pamvarësisht se personalisht ndjehet në luftë me SHBA. Ndoshta mund ta bëjë në orët në vazhdim. Jo se ka ndonjë rëndësi për SHBA, por ka rëndësi që të jetë në palën e shqiptarëve që ndjehen të rrezikuar vërtet nga kjo histori.
Ai është i lirë të sulmojë SHBA si vend që ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë, që dikton reformën në drejtësi, që mbështet 30 qershorin, apo gjithë çfarë SHBA bën në Shqipëri. Nuk e ka penguar njeri dhe kur e ka bërë. Por ky nuk është rasti, pasi hallet e Ilir Metës dhe hallet e Shqipërisë, janë të ndryshme.
Shqipëria përveçse është pjesë e koalicionit të SHBA që ka çliruar Irakun dhe është ende prezente aty, ka një raport specifik me këtë histori. Shqipëria dhe SHBA janë dy vendet që menaxhojnë opozitën iraniane dhe e strehojnë atë fizikisht.
Shqipëria e ka të ndaluar të jetë neutrale në këtë histori, jo se i duhet SHBA-s, por se na duhet SHBA-ja. Ne e kemi prishur këtë neutralitet duke u bërë aleate e SHBA në këtë betejë. Nuk di të kemi ndonjë vendim tjetër si shtet për t’u dukur të distancuar nga SHBA, apo të moderuar.
Nuk është koha të tallemi me Ramushin, Hashimin, Ramën apo Bashën, pse mbështesin sulmin e SHBA. Ata dhe nëse nuk duan, janë të dënuar të jenë në krye të luftës që ka nisur aleati i tyre, ndryshe janë dezertorë të saj. Jemi ne që na duhet SHBA në këtë histori të re. Nuk i duhemi SHBA-së.
Liderët tanë mund të duken të këqinj, kur përdorin SHBA-në për hallet e tyre të brendshme, por në këtë rast, nuk është se po i kompenson njeri personalisht.
Në këtë kohë ata janë thjeshtë ushtarë të SHBA, rol për të cilin i kemi pranuar si udhëheqës politikë.
SHBA nuk është aleat vetëm për ditë të mira, por dhe për ditë të tilla. Nuk na duhet vetëm për të çliruar Kosovën, apo për të na mbrojtur nga rreziqet në rajon, por dhe për të qenë me të përballë rreziqeve të tilla.
Nuk ndiej kurrfarë pështirosje për liderët tanë që sot ngjajnë si “servilë” të SHBA. Thjeshtë e shikoj si detyrë të tyre. Bëhet fjalë për një ngjarje që e kemi rrezikun tek dera, pasi po aq të rrezikuar sa SHBA, janë sot dhe qytetarët shqiptarë.
“Pacifistë” si Ilir Meta dhe shokët e tij, që ende mbajnë në duar molotovët kundër 30 qershorit, që ua la në duar SHBA, pasi ishin gati t’i vinin zjarrin Shqipërisë për karriken e tyre më 30 qershor, janë për t’u përbuzur. Pale kur dëgjon sot, që dhe LSI i ka mbështetur shpresat tek gabimet e Ramës në politikën e jashtme për të ardhur në pushtet./ TemA