Muaji mars ka nisur dhe fokusi tashmë është te Kombëtarja, që më 26 mars do të përballet me Poloninë në finalen e parë të play off-it të Botërorit 2026. Futbollistët kuqezi që aktivizohen jashtë vendit kanë dhënë sinjale shumë pozitive me paraqitjet e tyre këtë fundjavë. Protagonist ishte Rey Manaj, i cili realizoi golin e fitores për Sivasspor në suksesin 1-0 në transfertë ndaj Serik Spor. Sulmuesi kuqezi shënoi në minutën e 48-të, duke vendosur fatin e takimit.
Goli nuk mungoi as nga Arlind Ajeti, i cili realizoi në fitoren 3-1 të Bodrumspor në transfertë ndaj Hatayspor. Mbrojtësi shënoi golin e parë të takimit me një goditje me kokë nga brenda zonës. Në Turqi spikati edhe Qazim Laçi, që regjistroi asistin e gjashtë sezonal në kampionat në fitoren 3-0 të Rizespor në transfertë ndaj Kasimpasa. Mesfushori asistoi në golin e dytë dhe numëron gjithashtu tre gola këtë sezon.
Formë të mirë po kalon edhe Anis Mehmeti, i cili realizoi golin e parë në fitoren 3-0 të Ipswich ndaj Swansea. Mehmeti gjeti rrjetën që në minutën e 3-të të takimit. Gol shënoi edhe Cristian Shpendi, që realizoi në barazimin 1-1 të Cesena në transfertë ndaj Empoli. Shpendi zhbllokoi takimin në minutën e 29-të. Titullarë me skuadrat e tyre këtë javë u aktivizuan edhe Thomas Strakosha, Mario Mitaj, Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli, Klisman Cake, Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Adrion Pajaziti, Jasir Asani, Myrto Uzuni dhe Ernest Muçi.







