Partizani po kalon një formë të mirë. Shifrat flasin qartë, me të kuqtë që kanë marrë 5 fitore radhazi dhe gjërat po shkojnë në rrugën e mbarë.
Ish-drejtori sportiv i Partizanit, Arbër Abilaliaj ka bërë një postim në rrjetet sociale, ku shprehet se rezultatet e arritura janë mesazhi më i mirë për ata që nuk e duan këtë skuadër.
“Forma që po tregon sot FK Partizani është përgjigjja më e fortë për të gjithë ata që nxituan të gjykojnë, të sulmojnë dhe të hedhin baltë në momentet e para të vështira. Në fillim u tha çdo gjë e mundshme. U vu në dyshim projekti, u kritikua çdo lëvizje, u paragjykua një grup i ri që sapo po ndërtohej.
Por, harrohet shpesh se një skuadër nuk lind e gatshme – ajo formohet, piqet, kalitet në kohë. Ky ekip kishte nevojë për durim, për besim dhe mbështetje. Në vend të kësaj, disa zgjodhën zhurmën, sulmin dhe negativitetin. Sot fusha po flet ndryshe. Sot loja, karakteri dhe shpirti i garës po tregojnë se puna serioze dhe uniteti janë më të fortë se çdo fjalë e hedhur në erë.
Ky është Partizani që lufton, që rritet nën presion dhe që nuk dorëzohet. Por rruga nuk mbaron këtu. Ka ende shumë për tu bërë, shumë beteja përpara, shumë prova që kërkojnë qetësim dhe bashkim. Urime Partizan!
Vazhdoni me përulësi, me uri për fitore dhe me besim te njëri-tjetri. Vetëm të bashkuar – klub, skuadër dhe tifozë – arrihet madhështia. Suksese në vazhdim”, reagimi i Abilaliajt.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









