Mungon vetëm zyrtarizimi por viti 2018 nuk pritet ta gjejë skuadrën e Kukësit me Mlladen Milinkoviç si trajner. Durimi i presidentit Safet Gjici ka marrë fund dhe duke parë se ekipi nuk po arrin të sigurojë rezultate me teknikun serb, në ditët në vijim të dy do të ulen në tavolinë dhe do të diskutojnë ndërprerjen e bashkëpunimit.
Gjici prej kohësh ka filluar të kërkojë për një trajner tjetër, duke nuhatur se gjërat me Milinkoviç nuk po shkonin në rrugën e duhur. Aktualisht, emri i cili po diskutohet gjithnjë e më shumë pranë klubit kuksian është ai i Artan Mërgjyshit.
“Vip Sport” ka mësuar se ish-trajenri i Dinamos, i cili ka drejtuar në Superiore edhe skuadra si Kastrioti, Besa, Apolonia e Korabi, ka pasur kontakte pak kohë më parë me presidentin Gjici, por ky i fundit vendosi që të mbante Milinkoviç duke shpresuar që situata do të ndryshonte.
Këto kontakte janë rivendosur kohët e fundit, pasi presidenti i Kukësit beson se Mërgjyshi mund të jetë mes kandidaturave potenciale për të ndihmuar skuadrën e tij të dalë nga kriza dhe të vihet në shinat e duhura në një sezon ku Kukësi nga një skuadër kampione, rrezikon seriozisht mospjesëmarrjen në Europë.