Në një deklaratë për mediat, Shoqata e transportit urban ka kërkuar rritjen e çmimit të biletës së transportit urban për të përballuar rritjen e çmimit të karburanteve.
Dashnor Mema, kreu i Shoqatës tha se sipas llogaritjeve të ekspertëve çmimi i biletës duhet dyfishuar, në mënyrë që të përballohet kriza.
“Ajo që u vendos të kërkohet më parë dhe që është më emergjentja është rritja e çmimit të biletës. Kjo për shkak se do jepte një mundësi që të kishim transport në Republikën e Shqipërisë. Çmimi i biletës për të përballuar këtë krizë është llogaritur nga ekspertët tanë në 80 lekë për biletë njëpërdorimshme”, tha ai.
Përveç rritjes së çmimit, qytetarët e Tiranës janë zgjuar këtë mëngjes më përgjysmim të numrit të urbanëve si pasojë e rritjes së çmimit të naftës që në pikat e furnizimit me shumicë.
“Siç e shohim stacionet janë plot me njerëz sepse nafta dje na erdhi njoftimi që në pikat e furnizimit do jetë 220 lekë për litër me shumicë. Natyrisht kjo ishte e frikshme sepse asnjë nga operatorët nuk ka kapacitet financiar që të vazhdojë operimin me kapacitet të plotë, por ndërkohë edhe t’i shërbejë qytetarëve”, tha ai.
Nëse vazhdohet në këtë situatë, tha Mema, “kapitullimi i transportit do jetë për 3-4 ditë maksimalisht”.