Nga Zamira Rami
I nderuar z. Kryeminister,
Te nderuar Anëtarë të Bordit Drejtues të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit
Të nderuar ministra, deputete, miq e të ftuar.
Mire se keni ardhur ne kete dite të veçantë për Gjirokastrën tonë.
Pazari Karakteristik i Gjirokastrës ka sot një pamje krejt ndryshe nga një vit më parë, ai është shndërruar tashmë në zonën më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik dhe turistik të ketij qyteti, pjesë e trashëgimisë botërore.
Sot në këtë ditë të përfundimit të restaurimit të kësaj pjese të qytetit, pikërisht aty ku rreh pulsi i së shkuarës, të sotmes dhe së ardhmes, Gjirokastra është e gjitha në festë. Ndërtuar shekuj më parë, Pazari i Gjirokastrës ishte në rrënim e sipër. Kjo kryevepër e arkitekturës, urbanistikës dhe qytetarisë, ngjan sot me një nuse gjirokastrite të stisur e stolisur.
Ky ndryshim i thellë ishte produkt i një partneriteti të shkëlqyer mes Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë Gjirokastrës.
U restauruan fasada, mure, çati, vetrata, taraba, ndriçuesit e kompleksit karakteristik, duke i dhënë një start pozitiv tregëtisë, zejtarisë, artizanatit, hotelerisë, haneve, bujtinave të lëna për dekada jashtë derës së “shtëpisë” së tyre. Partneritet që vërtetoi edhe një here më shumë se kur jemi bashkë mund të bëjmë më të mirën e mundshme për komunitetin tonë.
Ky ansambël tregëtar dhe kulturor fsheh në brendësi të tij vlera të hershme historike, kulturore dhe artistike, një pjesë e të cilave u rizbuluan dhe evidentuan gjatë këtij procesi restaurues. Enigma dhe histori të tjera u takon në vazhdim të zbulohen nga ekspertët e historisë dhe monumenteve sepse Gjirokastra nuk është vetëm një thesar, por edhe një enigmë.
Vlerat e trashëgimisë historike, kulturore dhe artistike të Gjirokastrës janë endë të pa zbuluara. Rrënjët e këtij pazari të restauruar, qëndrojnë mbi rrënojat e një pazari tjetër që sipas gojëdhënave është djegur. Edhe pse rreth 300-400 vjeçar për gjirokastritët ky konsiderohet Pazari i Ri.
Gjirokastra, ka një kult gati pagan. një marrëdhënie thuajse njerëzore me gurin dhe drurin.
Ky ansambël muzeal e dëshmon më së miri këtë marrdhënie. Këtu gjenden gjurmë të gjalla të traditës të punimit dhe gdhëndjes së gurit dhe drurit, të rrahjes së hekurit, të qëndismave, të sizhadeve, të rozetave, të një prej ritualeve më të hershëm dhe më të rrallë, atë të pjekjes, bluarjes dhe pirjes së “kafes së gurit”.
Më lejoni që në këtë ditë të veçantë përurimi të nënvizoj edhe disa vlera të tjera që solli ky projekt shpëtues për Gjirokastrën. Ai ktheu shpresën dhe besimin e humbur të qytetarëve. Solli projekte dhe donatorë të tjerë. Pak metra nga ky vend ku po festojmë, ka nisur një projekt tjetër për restaurimin e kalldrëmeve dhe rrjeteve inxhinjerike.
Jam shpresëplotë që shumë shpejt do ti jepet zgjidhje eleminimit të trafikut ne Pazar dhe kthimin e tij në pedonale. Po ashtu rikonstruksionit te sheshit të Çerçizit dhe krijimit të parkimit nëntokësor.
Dëshiroj të theksoj se me ngritjen e zonës TID-Gjirokastra, tregëtarët kanë tashmë një model dhe strukturë të re menaxhimi dhe rijetëzimi.
Kjo për mua ka shumë rëndësi, pasi ka të bëjë me qëndrushmerinë dhe vazhdimësinë e jetës tregëtare, me kthimin plotësisht të funksioneve, shërbimeve dhe eventeve kulturore, për rritjen e interesit dhe joshjen e vizitorëve dhe turistëve dhe më kryesorja, për rritjen e të ardhurave të banorëve.
Gjirokastra, nuk është vetëm vendi i shkëmbimeve të tregtarëve dhe turistëve, por edhe vendi i shkëmbimeve kulturore. Bashkia në bashkëpunim me TID, Ministrinë e Kulturës dhe shoqata të ndryshme kulturore, në një vit kanë organizuar aq evente kulturore, sa nuk ishin organizuar në 10 vjet, duke e kthyer Gjirokastrën në një destinacion fundjave të preferuar për të gjithë shqiptarët.
Ndihem me fat që gjetëm dhe bashkëpunuam më partner si Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, partner që jo vetëm financoi restaurimin, e jam e bindur që do të vazhdojë ta zgjerojë zonën restauruese, por, ka një përkujdesje të veçantë për vazhdushmërinë e jetës tregëtare dhe shoqërore.
Dhe së fundi dua të theksoj se krahas mikpritjes dhe bujarisë, një nga vyrtytet e qytetarisë gjirokastrite është edhe mirënjohja. Në shënjë mirënjohje dhe nderimi, Këshilli Bashkiak i Bashkisë Gjirokastër i vlerëson si “Qytetarë Nderi” të Gjirokastrës të gjithë anëtarët e Bordit Drejtues të Fondit Shqiptaro-Amerikan: z. Michael Granof; z. Domenick Scaglione; znj. Jill Adler; znj. Diane Blane; z. Cafo Boga; z. Douglas Carlston; z. James Duffy; z. Ronald Cami; znj. Aida Repishti.
Duke ju uruar ta gëzojmë të gjithë Pazarin e restauruar të Gjirokastrës, ftoj Kryetaren e Këshillit znj. Vjollca Koko për të shprehur motivacionin e titullit “Qytetar Nderi”