Demokratët në Gjirokastër kanë përfunduar procesin e propozimeve të kandidatëve për deputetë që ata duan t’i përfaqësojnë në zgjedhjet e vitit 2021. Procesi i koordinuar nga ish-deputeti Ervin Salianji ka nxjerrë disa propozime, që më pas do të shkojnë në strukturat qëndrore të Partisë Demokratike. Argjirolajm.net mëson se mes emrave të propozuar më së shumti prej demokratëve është ai i Roland Bejkos, ish-kryetari i PD-së në Gjirokastër dhe aktualisht koordinator e këshilltar i Bashës për pushtetin vendor dhe decentralizimin.
Bejko ka qenë kandidat edhe në zgjedhjet e vitit 2017 duke u pozicionuar në vendin e dytë të listës së demokratëve, por mandati i vetëm që PD mori në Gjirokastër i shkoi Tritan Shehut, një personazhi qesharak që Basha sikur e risolli në skenë kastile për të rrënuar më tej PD-në. Kësaj here nëse lidershipi i PD-së e ka seriozisht procesin e propozimeve të bazës, do duhet që t’i besojë Roland Bejkos kryesimin e listës së PD-së në qarkun Gjirokastër. Edhe nëse do të shkohet me lista të hapura në zgjedhje, Roland Bejko ka gjasa të marrë më shumë vota se kandidatët e tjerë. Këtë e ka treguar në disa palë zgjedhje, madje edhe atëherë kur ishte jashtë siglës së PD-së. Nëse e krahason me Arben Ristanin, që s’e lidh asgjë me Gjirokastrën veç origjinës nga Zagoria e ndonjë udhëtimi të beftë në fundjavë për mish e raki, Bejko është dukshëm më i volitshëm për listën e demokratëve.
Një emër tjetër i propozuar është Ylli Asllani, aktualisht këshilltar për pushtetin vendor i Presidentit Ilir Meta. Demokratëve në Gjirokastër sa herë u duhet një figurë le të themi përbashkuese dhe e paqtë, në skenë del gjithmonë Ylli Asllani, i cili përveçse të qënit një burrë babaxhan e fjalëpakë, zor se mund t’i ofrojë diçka më tepër Gjirokastrës në kushtet kur është në prag pensioni. Më shumë se sa të frymëzojë të rinjtë apo pjesën gri të elektoratit, Ylli Asllani i shërben PD-së thjesht për të mbledhur rreth vetes votat e nostalgjikëve dhe brezave të vjetër. Nëse Basha e vendos të dytin në listën e Gjirokastrës, kjo shihet si lëvizje taktike për të synuar mandatin e dytë në qark. “Lufta” në këtë rast është me LSI-në, konkretisht me Vangjel Tavon, ndërkohë që PS-ja ka gjasa t’i marrë sërish tre mandate deputetësh.
Demokratët në Gjirokastër kanë propozuar gjithashtu edhe Tomor Alizotin, një figurë nga shtresa e ish të përndjekurve politikë, që hera herës mërzitet me Bashën dhe e kritikon, pastaj rikthehet sërish në PD dhe tregohet luajalë me kryetarin. Alizoti mbahet mend edhe për një përplasje me Edi Ramën në emisionin “Open”. Kryeministri e ironizoi për modelin e tij të flokëve dhe e krahasoi me Ludovikun, personazhin e një filmi të njohur në kohën e realizmit socialist.
Genc Ruli nuk do të rikthehet vetë në PD si kandidat për deputet, në Gjirokastër jo e jo, por ka një njeri që e sponsorizon fort veç Arben Ristanit. Ajo është Entela (Fico) Shehaj, një ish-pedagoge e Universitetit “Eqrem Çabej”, të cilën vite më parë kur Ruli ishte ministër i Energjitikës e promovoi në bordin e Entit Rregullator të Energjisë Elektrike. Aktualisht Shehaj vijon karrierën akademike në Tiranë duke ruajtur profilin e teknicienes së mirë, por është ende e patestuar për valencën e saj politike, aq më tepër në një qark të majtë si Gjirokastra. Entela (Fico) Shehaj është propozuar pak mes demokratëve, por kjo nuk është problem për përfshirjen e saj në listën e kandidatëve.
Reila Bozdo ish-anëtare e Këshillit Bashkiak Tiranë është gjithashtu një emër që është lakuar për të qenë pjesë e listës së PD-së në qarkun Gjirokastër. Emra të tjerë periferikë janë Kosta Barka, Alma Buci, Korab Aliko, Niko Shupuli, Dasho Aliko, Tritan Shehu dhe disa ish-funksionarë të PD-së ndër vite. Në Përmet ka pasur gjithashtu propozime edhe për Fatjona Dhimitrin, deputeten që mori mandatin e Tritan Shehut e që ky i fundit e etiketonte si ‘pupace’. Por pavarësisht propozimeve që janë bërë nga baza, procesi ka të ngjarë të jetë thjesht për fasadë dhe sa për të mbajtur të karikuar strukturat dhe anëtarësinë, pasi në finale lista do të jetë produkt i kalkulimeve të tjera që bën Basha me kupolën drejtuese të PD-së.
“Lufta” bëhet për dy vendet e para nëse do të shkojmë në zgjedhje me lista të mbyllura. PD e ka të pamundur që të marrë një mandat të tretë përballë socialistëve që kontrollojnë gjithçka me pushtet qëndror e lokal. Nëse do të hyjmë me lista të hapura, situata do të jetë ndryshe pasi vota më tepër do të marrin kandidatët që kanë një lidhje të konsoliduar me qarkun dhe këtu favorit është patjetër Roland Bejko e Ylli Asllani. Arben Ristani, Tomor Alizoti apo Entela Shehaj do ta kenë dukshëm më të vështirë. Në komisionin e përzgjedhjes së kandidatëve ka për të qenë edhe Genc Ruli, ish-deputeti i Gjirokastrës. Kjo për disa prej emrave të përmendur më sipër si kandidatë të mundshëm të PD-së përbën problem. Kujtoni përplasjet e vitit 2013 mes dy klaneve në PD-në e Gjirokastrës.
Njëri grupim i mbështetur nga Genc Ruli, që i humbi zgjedhjet, dhe grupi tjetër i njohur si “krahu i Lazaratit” që akuzonte Rulin për disfatën dhe rrënimin e PD-së. Këto mllefe të vjetra ka gjasa të ndikojnë edhe kësaj radhe në përzgjedhjen dhe pozicionimin e kandidatëve. Megjithatë do duhet të presim muajt e ardhshëm për të krijuar një panoramë më të plotë të zhvillimeve në kampin e djathtë. Për momentin jemi në kushtet kur mbizotëron qetësia përpara ‘furtunës’.
©argjiroja.net