Padyshim nëse do të dëgjoje deri dhjetë vite më parë emrin Bollano dhe Himara, do ta lidhje automatikisht me incidentet etnike në jug të vendit sa herë që ka pasur zgjedhje.
Çuditërisht grekë dhe shqiptarë, dy prej popujve më të vjetër në Ballkan dhe që fati e desh dhe i lidhi që të bashkëjetojnë ndër shekuj pranë, të ashpërsonin tonet e të flisnin me gjuhën e urrejtjes ndaj njëri-tjetrit çdo dy vjet. Si çdo plagë, koha është ilaçi më i mirë.
Këtë e ndjejmë sapo ndalemi në Himarë, ku për shkak edhe të mbylljes së kufijve dhe turistëve të pakët këtë periudhë, qetësia ishte ajo që mbizotëron në qytetin e vjetër. Pas një shëtitjeje dhe një kafeje të shpejtë në një lokal të sapohapur buzë detit, pyesim kamerierin nëse mund të na ndihmonte me ndonjë dyqan ku mund të blejmë diçka karakteristike të zonës. Përgjigja ishte jo pak befasuese për ne teksa na tregoi se në katin e parë të një shtëpie të vogël dykatëshe, në Spile, do të gjeni “Homemade Products-Himara”, shkruan TiranaNews
Një dyqan i vogël, i këndshëm, me plot ngjyra e shishe gjithfarëllojesh që ishte në pronësi të zonjës Virada, bashkëshortja e ish -kryebashkiakut të Himarës. Hymë në dyqanin e vogël që është i veçuar pakëz nga dyqanet e tjera ku dëgjojmë zërin e ëmbël të Viradës, e cila rrezaton fisnikëri e kulturë të pashoqe. Gjithë sa të zë syri, në dyqan, kanë dalë nga duart e saj, sepse siç thotë ajo “himariotët duan ta bëjnë çdo gjë vetë”.
Për fat të mirë kemi ende kohë për t’u nisur për në destinacionin tonë të radhës, ndaj duke përfituar edhe nga mikpritja dhe pasioni i zonjës, përpiqemi që t;i vjedhim disa receta tradicionale dhe të mësojmë se si ka mundur që ajo të ngrejë këtë biznes të vogël familjar ku nuk mungojnë turistët e shumtë të huaj.
“Përgjithësi unë e ka nisur biznesin vet. Në fillim ka qenë ideja e ambalazhimit të bukur të produkteve që ne shesim të cilat janë vërtet shumë cilësore dhe 100 për qind bio, pa asnjë konservues. Unë kam punuar në emigracion në Greqi 5 vjet dhe në vitin 1995 vendosëm që bashkë me familjen të ktheheshim këtu. Unë e kisha edhe pasion të bëja Gliko dhe ua shpërndaja shoqeve të mia të cilat e vlerësonin vërtet.
-Ua sa të mirë e bën njëra, u sa të mirë e bën tjetra, edhe e fillova”, tregon Virada e cila kujdeset në të njëjtën kohë për reçelin me mana të kuq që është duke gatuar e që e mbush dyqanin e vogël me një aromë fantastike.
“ S’më zinte gjumi natën si do e bëj si kështu. Por asnjëherë nuk e kisha menduar fitimin. Doja vetë atë që ajo që të ishte të ishte e saktë dhe personi që e merr të vijë përsëri. Ajo ishte pikësynimi, jo se s’kam nevojë për lek sepse në këtë moshë që jam… Po sa e ndjek lekun, aq ikën se kap dot. Kisha një pikësynim të kënaqem, ta bëj reçelin si për fëmijët e mi dhe të tjerat kismet”, vijon më tej rrëfimin e saj e zonja e dyqanit.
Teksa provojmë një gliko luleshtrydhesh, e pyesim nëse arrin dot të plotësojë kërkesat e klientëve të saj dhe a ka pasur ndihmë nga institucionet shtetërore për ta ndihmuar sadopak për ekonominë e saj të vogël familjare. “Kam ecur mir. Klientët e parë janë nga Tirana, pastaj e zënë gjermanët, polakët, dhe më bëhet qejfi. Në sezon tani shumë pak shesim, në dimër p.sh mund të më thotë ndonjëri më dërgo 10- copë se do iki t’i coj dhuratë. Studentët marrin dhurata për jashtë shtetit ose siç vete unë te djali në Amerikë ose me postë”, shkruan TiranaNews
Ky dyqan I vogël por mjaft I njohur në Himarë ka ndikuar pozitivisht edhe në ekonominë e disa familjeve të zonës, ku mblidhen produktet e zonës që nga Lulet e ndryshme, manat etj. “Shumicën e kam të zonës përveç qershive dhe luleshtrydheve. Qershitë I marr në Rrushnik të Beratit prej nga kam nusen, ndërsa luleshtrydhen e blej në treg s’kam ku ta gjej. Të tjerat ka , fikun dhe manin e zi , kam dy mana dhe vete i mbledh”.
Për fat të keq, burokracia ka kufizuar disi shitjen e produkteve të saj. Gjithsesi falë cilësisë së glikove dhe reçelërave që kërkohen nga turistët, është arritur të merret e drejta për të shitur sëpaku në restorantet dhe hotelet brenda bashkisë Himarë.
“Kam bërë 3 vjet që të marr lejen. Ma dhanë lejen Nikua (Niko Peleshi-ish ministër ).Më thoshin duhen bërë analizat. Unë kam turistë që vijnë për të parë kalanë lart në fshat, shikojnë tenxheren dhe e provojnë dhe më thonë kur të vijmë na e ambalazho ta marr, çfarë t’u them do ta çoj në Tiranë t’i bëj analizat pastaj hajde merre?! Por mora lejen dhe kam të drejtë brenda bashkisë nëpër hotele, restorante të shpërndaj, ndërsa në supermarket jo”, thekson Virada.
Produktet që ajo shet janë në katër gjuhë të huaja, por surpriza jonë më e madhe është një listë e gjatë me mbi 20 gjuhë ku ajo ka shënuar disa fjalë kortezie si “Mirëseerdhët”, “”Faleminderit”, “Mirupashin” etj. Por ndryshe nga fjalorët, personazhi jonë interesant i ka shënuar ashtu sikurse i ka dëgjuar në shqip duke shtuar edhe më tepër veçantinë e këtij dyqani. “Etiketat I kam bërë në 4 gjuhë, greqisht, shqip, italisht, gjermanisht. Më janë ankuar francezët. Vendin e parë janë gjermanët, polakët. Megjithëse kam një listë që ju kam mësuar “Faleminderit” dhe “Mirupafshim”. Anglisht 5 gjëra. Nusja më thotë-Mama nuk thuhet kështu.
-Merrem vesh shumë mirë kështu si di , -I them, se do vete të bëj gramatikë unë? Kam dhe japonisht “Mirupafshim”. Është një punë që më pëlqen. Bëj këtë muhabet, i qeras, secili merr atë që do”, nënvizon Virada.
Ndihma e vetme ka qenë vetëm 100 kavanoza nga GIZ, ndërsa dëshira e saj është të ketë edhe një frigorifer profesional për ruajtjen e gatimeve të saj tradicionale. “Më tepër do doja një frigorifer jo për ngrirje, por të ruaj reçelërat e kohës që bëj për restorante. Vjen ai më thotë dua 3 kg reçel. Tani që kam qershitë bëj 20 kova, të jetë për kujdesje jo për ngrirje se në gusht është shumë vapë””.
Me bisedën e ngrohtë dhe shijen fantastike të glikosë që provuam koha kishte fluturuar dhe na duhej që të niseshim për në destinacionin tonë të radhës, Gjithsesi, kureshtja prej shqiptari për politikën e veçanërisht për atë që kishte ndodhur në Himarë kur kishte zgjedhje nuk na linte. Ndaj vendosëm ta pyesin të zonjën e atij që për disa mandate e kishte drejtuar këtë bashki.
“Kam 12 vjet tamam që e kam hapur si dyqan për gliko. Më parë e kisha dyqan elektrik. Im shoq ka mbaruar për teknik dhe punonte në fillim,, unë mbaja dyqanin. Pastaj ai u bë kryetar bashkie dy sezone. E ktheva gjithë atë hidhërimi që humbëm zgjedhjet për 50 vota dhe e bëra me sheqer atë dhe ua ndaja me gjithë kënaqësi njerëzve. E ktheva dhimbjen në forcë””, tregon qetësisht Virada, ku duket se ajo periudhë u ka sjellë jo pak strese, të paktën familjarëve të kryebashkiakut që do të duhet të dëgjonin e të lexonin gjithçka për të afërmin e tyre.
“Jam çliruar nga ajo gjë, ishte shumë e rëndë. Ai që e ka qejf ta bëjë atë punë dakord, por pjesa tjetër e familjes mërziten. Çfarë do thotë gazeta, gënjeshtrat e dynjasë, kështu është politikë. Pastaj duke ditur njeriun tënd se çfarë përpjekje bën për atë, që nga pse si hodhi kripë gruaja burit dhe vete burri te kryetari bashkisë dhe ankohet etj, etj…. Ishte stres i madh jo se unë kisha ndonjë problem, pasi ata që më njohin besoj se ajo që kam qenë edhe jam. As besoj se e mbaja veten.
Unë them që ai që është i pari është shërbëtor që do të punojë. Iku ajo e kaluam tani rrisim mbesat”, thekson zonja duarartë me të cilën përshëndetemi. E lëmë në dyqanin e saj të vogël ku me sa duket famën e bashkëshortit të saj në politikë në vitet 2000, po ia kalon përmes gatimeve të saj tradicionale që po shiten kudo në Evropë.(Tirananews)