Nga Renaldo Salianji
Dy fjalë për grevën e pedagogëve! Po sikur ta lëmë për një moment patetizmin që na karakterizon si shoqëri dhe për një herë të vetme të mos krijojmë heronj të rremë vetëmohues, trima e sypatrembur që mbajnë mbi supe peshën e rëndë të së ardhmes dhe shoqëria po u hyn në hak. Ta shohim njëherë të vërtetën e përditshme në sy, e të mos fshihemi pas gishtit.
Pedagogët qenkan zgjuar nga gjumi, dhe paskan dalë në shesh të kërkojnë para.
Paskan kërkuar madje që edhe studentët t’i mbështesin në kërkesën e tyre. “Çohuni o studentë dhe dilni kërkoni para për pedagogët.”
Po pedagogët ku ishin kur studentët u ngritën e protestuan, madje edhe për ta. Madje edhe kundër tyre. Shumica e tyre ishin nëpër klasa, duke marrë mungesat, si kujdestari tek “Lulekuqet mbi mure”.
Pedagogët duhet të ishin atje, në ballë e në mes të protestës së studentëve të tyre. Pak kush, përveç ndonjërit doli të merrte mungesat në shesh, dhe shumica u shndërruan në ca burokratë e shkresaxhinj, që nuk e kuptuan dot, dhe nuk e kanë kuptuar ende atë lumë energjie që u derdh në shesh.
Siç pati pedagogë që me paratë e rrogës së tyre të vogël paguan banderolat e studentëve, e i udhëzuan ata për mirë, le ta pranojmë të gjithë, atë që dimë të gjithë, se shumica e pedagogëve nuk i luajtën të ndenjurat nga karrigia, e nuk panë dot përtej syzeve të interesit të tyre personal. Pikërisht disa prej tyre, po bëjnë të njëjtën gjë edhe sot.
Pse u strukën pedagogët sapo studentët filluan të kërkonin vetting të titujve akademikë? Përgjigjen e dimë të gjithë shumë mirë, edhe pedagogët vetë.
Pse nuk e kërkuan vetë pedagogët këtë gjë?
Pse nuk e kanë bërë pedagogët këtë gjë gjatë këtyre viteve?
Pse e kanë penguar pedagogët këtë gjë?
Ata e dinë përgjigjen.
Të gjithë e dimë dhe e shohim përditë se mbreti është lakuriq, por nuk e themi, e krijojmë heronj me dinjitet të nëpërkëmbur.
“Duam të vihet në vend dinjiteti i universitetit”- tha dikush. Pse, dinjiteti i Universitetit u bleka me para? Dinjitet qenka vetëm paga? Po kushtet e punës? Po shkenca, po trajtimi, po studentët e varfër? Po korrupsioni? Po klientelizmi? Të gjitha këto, për të cilat pedagogët nuk kanë folur kurrë, nuk janë pjesë e dinjitetit?
Kujt ja kërkojnë këto para pedagogët?
A kanë qenë aty pedagogët kur Universitet dhe drejtuesit e tyre të korruptuar harxhojnë miliarda lek për roje godine dhe 0 qindarka për kërkim shkencor?
A i kërkuan pedagogët ndonjëherë llogari Universitetit pse ndodh kjo?
A zhvilluan ndonjë debat të brendëshëm për këtë?
A dolën ta thoshin publikisht atë që po ndodh me paratë e tarifave të studentëve?
Kurrë!
Nuk e dinin? Dyshoj!
Pse pedagogët nuk bojkotuan mësimin kur ligji i arsimit të lartë ndryshoi?
Pse nuk bojkotuan kur studentëve ju rritën tarifat?
Pse nuk dolën në shesh kur universiteti u shkatërrua? Kur asetet u universiteteve u tjetërsuan?
Pse nuk e ngritën zërin kur studentët torturoheshin nëpër sekretari?
Ku ishin pedagogët kur kolegë të tyre u shisnin librat studentëve me detyrim dhe u kërkonin para për provime?
E ngritën zërin ndonjëherë pedagogët kur korrupsioni gëlonte në universitete?
Dolën ndonjëherë të protestonin për këtë cënim të rëndë të dinjitetit të Universitetit?
Të gjithë i dinin këto por pak kush, përveç ndonjërit e prishi rehatinë.
Çfarë bënë pedagogët kur panë që njerëz pa merita u emëruan pedagogë me urdhër partie? Nuk e dinin? Sigurisht që e dinin. Pse nuk e ngritën zërin? Pyetini, se unë e di…
Çfarë bënë pedagogët kur degë të tëra rrezikuan të mbylleshin dhe u mbyllën? A e kërkuan gabimin te vetja? A bënë një analizë të degëve? Të programeve? Ai i rishikuan kurrikulat? A i përditësuan leksionet? A u përshtatën me zhvillimet? A u përshtatën me teknologjinë? Pyetini, aty i keni. Unë e di pëgjigjen…
Kur nuk u ngritën për këto, si mund të ngriheshin kur Shqipëria po zbrazej, kur shoqëria po lëngonte, kur studentët po linin auditoret e po hipnin kamionave e gomoneve për në Angli? Sa herë ofruan mendimin e tyre pedagogët për krizën ekonimike dhe sociale? Sa herë i trajtuan seriozisht problemet reale dhe dhanë një kontribut real në shoqëri? Apo vazhduan të jetojnë në një kështjellë prej xhami dhe u dhanë studentëve shembuj hipoteteikë dhe i mbushën vetes mendjen se bënë shkencë!
Çfarë bënë pedagogët kur erdhën zgjedhjet në universitet? Sa prej tyre votuan vërtet për alternativën më të mirë për universitetin dhe sa e shitën votën për një premtim, për një doktoraturë, për një specializim, për një post, apo për ca para. Zgjedhjet në universitet u bënë më turp se zgjedhjet në politikë. Sa pedagogë reaguan dhe sa u bënë palë?
Meqë duan rroga evropiane, sa pedagogë sot përdorin metoda evropiane? Sa përdorin kurrikula evropiane? Sa përdorin literaturë evropiane?
Ka pedagogë sot, që nuk i kanë ndryshuar leksionet që në vitin 2000. Që nuk i kanë ndryshuar slidet prej 20 vitesh, që kanë 20 vite që nuk i përditësojnë njohuritë e tyre dhe të studentëve. Ka pedagogë qesharakë që orën e mësimit e bëjnë si burg. Ka pedagogë që nuk lexojnë. Që nuk dinë. Që nuk duan. Ka pedagogë që marrin para, zhvatin studentët, shesin një libër 70 mijë lek të vjetra, që shpikin lloj e soj mënyrash për të shitur libra.
Ka pedagogë që, kur ikin dritat, ndërpresin mësimin, se nuk janë në gjendje të vazhdojnë të shpjegojnë pa poëer point, se ka kaluar aq vite sa as vetë nuk e mbajnë mend se çfarë kanë shkruar.
Ka pedagogë që nuk vijnë në mësim.
Ka pedagogë që vijnë vetëm orën e parë dhe të fundit te sezonit.
I dinë pedagogët këto gjëra? Kur i dinë studentët, i dinë patjetër edhe pedagogët. Pyetini, aty i keni.
Nuk ka para për kërkim shkencor?
Kush i ka ndaluar pedagogët të aplikojnë në projekte evropiane që mbështesin kërkimin shkencor? Pse nuk aplikojnë? Ua them unë, se e dinë kapacitetin e tyre, ja pse.
Meqë po na marrin Kosovën si shembull, le të shohin si është Kosova në këtë drejtim.
Sa meritë ka në përzgjedhjen dhe punësimin e asistentëve apo pedagogëve të rinj? A ishin aty peragogët kur u emëruan asistentë përtej çdo kriteri studentët që tradhtuan protestën? Studentët e partisë, të preferuarit e kancelarit dhe të dekanit? Reagoi njeri për këtë masakër? Ku ishin pedagogët kur ndodhte kjo? Dhe pse nuk reaguan?
I keni parë parkingjet e Universitetit të Elbasanit, Durrësit, Shkodrës, Filologjikut, Shkencave të natyrës, Ekonomikut, Bujqësorit?
Unë i kam parë. Kam parë makina modeste, pedagogë që vijnë me biçikletë, ose me vespa, por kam parë edhe pedagogë që vijnë me makina sa rroga e 3 viteve të tyre? Dhe që punën e vetme kanë të qenit pedagog. Edhe kolegët e tyre me makina modeste e dinë këtë gjë? Që ato makina janë blerë me djersën e studentëve që punojnë kamarierë dhe në call center. A foli njeri?
Dhe e fundit, sa e rrit cilësinë rritja e pagave? Apo duam paga si në Evropë dhe bëjmë mësim si në Shqipëri.
Pedagogët kanë 30 vite që heshtin. Shoqëria pret që ata të jenë zëri i reagimit, muri mbrojtës i universitetit. Ashtu si në Evropë. Po përkundër rolit që duhet të kenë, shumica u shndërruan në rrogtarë, dhe jo në intelektualë të angazhuar. Kur çdo gjë u shkatërrua ata nuk reaguan por dolën në shesh vetëm për rrogën. Kjo është e turpshme. E dhimshme!
Kur pedagogët ngrihen vetëm pë rrogën, Universiteti është në ditë të zezë.
Shoqëria dhe studentët do t’i mbështetin pedagogët, vetëm kur ata, t’i bëjnë vetes pyetjet më lart.
(P.s. Ky shkrim nuk për qëllim të barazojë të gjithë pedagogët. Se të gjithë jemi dëshmitarë se ka pedagogë që marrin me vete kur hyjnë në mësim, 10 çanta, me projektorë, mikrofonë, bokse, kompjuterë, printera etj. për të mbuluar mungesat që ka shkolla. Ka pedagogë që kanë sjellë metodat më të mira evropiane, që bëjnë kërkim shkencor si në Evropë, që po të doni ju, paguhen edhe si në Evropë. Ama janë edhe ata që thashë më lart, dhe fatkeqsisht janë shumë)