Ndeshja e së shtunës me Skënderbeun është shumë e rëndësishme për Luftëtarin, që duhet të sigurojë pjesëmarrjen historike në Europa League. Me një fitore të mundshme ndaj korçarëve, në kombinim me rezultatet e Laçit dhe Partizanit, që kanë ndeshje të vështira, gjirokastritët mund ta realizojnë objektivin që të shtunën. Në të kundërt, duhet të fitojë edhe në Lushnjë javën e fundit.
Për sfidën me kampionët e rinj të Superligës, trajneri Lika duket se do të ketë mungesa, ku veç Rrocës, janë edhe Jakovljeviç dhe Lamçja që rrezikojnë. Asnjëri nga këta nuk është stërvitur dje me grupin dhe mbetet për t’u parë gjendja deri të shtunën. Beqiri dhe Abazaj i janë bashkuar ekipit. Megjithatë, ka shumë besim se ndeshja e radhës do të fitohet, duke ditur se Skënderbeu e ka realizuar objektivin dhe nuk do të sforcohet në Gjirokastër. Gjithsesi, vlerësimi i gjirokastriteve është maksimal.









