Ka përfunduar kampi pesëditor seleksionues i muajit shkurt i Kombëtares U19, ku përzgjedhësi Albert Bunjaku, së bashku me stafin e tij, Anel Rashkaj, Besim Ademi, Labinot Qosa e Arsim Tërshana kanë punuar me dy grupe futbollistësh.
Në tri ditët e para të grumbullimit është punuar me futbollistë që luajnë në klubet evropiane dhe me ata nga kampionati vendor, derisa në dy ditët e fundit janë përfshirë vetëm futbollistë nga kampionati vendor, në numër më të madh, me qëllim që sa më shumë lojtarë të kenë mundësi të tregojnë vlerat e tyre.
Pas përfundimit të kampit, përzgjedhësi Bunjaku u shpreh i kënaqur me organizimin dhe përfitimet e këtij grumbullimi, i cili i ka shërbyer stafit për të krijuar një pasqyrë sa më reale të cilësisë dhe formës së futbollistëve.
“Jam shumë i kënaqur me organizimin e këtij kampi, pasi u kemi dhënë mundësinë shumë lojtarëve t’i tregojnë vlerat e tyre në fushë dhe të japin maksimumin për të qenë pjesë e Kombëtares në kualifikime. Ka qenë një kohë e shkurtër, por kemi parë shumë futbollistë dhe tani na mbetet neve si staf që t’i vlerësojmë dhe të orientohemi se cilët do t’i ftojmë në grumbullimin e marsit. Ka pasur lojtarë që na kanë lënë përshtypje shumë të mira dhe që janë absolutisht interesantë për t’u grumbulluar në grumbullimin për ndeshjet kualifikuese”, ka thënë Bunjaku.
Ai theksoi se në këtë kamp nuk kanë qenë të përfshirë lojtarët bazë të ekipit, për të cilët stafi ka informata të mjaftueshme, ndërsa shprehu besimin se në ndeshjet kualifikuese të muajit mars ndaj Gjibraltarit, Armenisë dhe Turqisë, futbollistët do të tregojnë disiplinë dhe do ta zbatojnë filozofinë e lojës së tij.
Ndërkohë, futbollisti Lorik Mehmeti u shpreh i lumtur për pjesëmarrjen në këtë kamp dhe shpreson të jetë pjesë edhe në grumbullimin kualifikues.
“Është ndjenjë shumë e mirë të jesh pjesë e Kombëtares. Grumbullimi ka shkuar shumë mirë dhe secili jemi munduar ta japim maksimumin. Në kualifikime e kemi një grup të fortë, por kam besim të madh te djemtë, sepse kanë karakteristika shumë të mira dhe besoj se do t’ia dalim mirë”, tha Mehmeti.
Edhe portieri Ismajl Hasimi vlerësoi pozitivisht kampin. “Në këtë kamp stërvitor kemi kaluar shumë mirë. Trajnerët kanë qenë shumë korrektë dhe ne si futbollistë jemi përpjekur ta tregojmë veten. Shpresoj të jem pjesë e Kombëtares edhe në grumbullimin e radhës, por për këtë vendos përzgjedhësi. Grupi nuk është i lehtë, por gjasat janë për të kaluar tutje”, u shpreh Hasimi.
Kombëtarja U19 do t’i zhvillojë ndeshjet kualifikuese të Ligës B për Evropianin 2027 në fund të muajit mars në Turqi.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb









