Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit përkujtoi kryengritjen e Zhapokikës, Tepelenë shtator-tetor 1948, në Muzeun Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”.
Kryetarja e AIDSSh-së, Gentiana Sula u shpreh se si në veri ashtu dhe në jug, shqiptarët bënë rezistence të organizuar ndaj instalimit me dhunë të regjimit komunist.
“Zhapokika është një faqe e ndritur e kësaj rezistence që kërkonte të mbronte të drejtat e tyre dhe mënyrën e jetesës”, shprehet ajo.
Lëvizja e armatosur e Zhapokikës në shtator-tetor 1948, ishte një kryengritje antikomuniste e banorëve të zonës ndaj pakënaqësisë së qeverisjes komuniste dhe përpjekje e qartë kundër regjimit diktatorial, ishte një revoltë me armë e mirë organizuar e menduar dhe me detyra politike dhe luftarake të përcaktuara e të studiuara.
Merita e përgatitjes dhe e organizimit të kryengritjes i takon Xhemal Brahim Asllanit, ish- partizan, me arsim fillor, i martuar me dy fëmijë, i ri 30-vjeçar.
Të mbi 20 burrat që morën armët, ishin të moshës mesatare 40 vjeç, burra të mësuar me varfërinë, me normat e ashpra të jetës, me barrën e dy luftërave botërore mbi shpinë.
Në përbërje të çetës kishte ushtarë, komunistë, ish-partizanë, policë të zonës, nëpunës të administratës lokale. Detyra luftarake e çetës ishte: të luftonte me armë derisa në Shqipëri të vijë në fuqi një qeveri demokratike. Pas zgjedhjes së shtabit të komandës, komandant u zgjodh ish-xhandari 59 vjeçar, Bajram Kamberi.
Çeta do të rezistonte për rreth një javë e ndjekur nga forcat e shumta qeveritare. Më 10 tetor në qafën e Gllavës bëhet beteja për jetë a vdekje me forcat e shumta qeveritare, ushtarë dhe policë, të ardhur nga Tepelena dhe nga Berati. Mbesin të vrarë dy policë dhe dy kryengritës. Të 25 kryengritësit e identifikuar ishin; 13 nga fshati Zhapokikë, 7 nga fshati Luftinjë, 3 nga fshati Kamçisht dhe 2 nga Salaria. Çeta përfundimisht u shpartallua. Xhemal Brahimi u arratis fillimisht në Greqi pastaj në SHBA.
Gjykata ushtarake e qarkut të Gjirokastrës, me kryetar kapitenin Llazi Polena, gjykoi më datën 4.06.1949 disa nga pjesëmarrësit e kryengritjes, duke i akuzuar se në shtator-tetor 1948 janë arratisur dhe kanë formuar bandën e armatosur për të rrëzuar pushtetin popullor. Komandant Barjam Kamberi u dënua me pushkatim, u ekzekutua në Gjirokastër, më 21.07.1949.
Të tjerët u dënuan me burgime të rënda. Dikush vdiq në burg. Numri i të vrarëve nga shteti dhe i të vdekurve në burg arrin në nëntë. Sulo Zaimi, si nxitës i fshehtë i Kryengritjes, u dënua me 20 vjet burg. Xhemal Brahimit ia internuan familjen, gruan dhe fëmijët e mitur, të cilët më pas u dënuan me burg deri në vitin 1991.
Të gjithë të dënuarve iu sekuestrua pasuria dhe e humbën të drejtën elektorale. Kryengritja e Zhapokikës ishte kryengritja e fundit kundër regjimit komunist dhe dëshmi që komunizmi nuk u kundërshtua me armë vetëm në veri por edhe në jug.








