Ka momente kur publiku nuk ka nevojë për vendime gjykate për të nxjerrë përfundime. Mjafton një sinjal, një përmendje, një lidhje e dyshimtë, dhe figura që deri dje konsideroheshin të paprekshme fillojnë të rrëshqasin. Kjo është ajo që po ndodh tani, pas publikimit të dosjeve që lidhen me Jeffrey Epstein, ku mes emrave të përmendur shfaqet edhe Jay-Z. Nuk ka akuza, nuk ka fajësi të provuar, por kjo nuk e ndalon reagimin publik.
Figura e Jay-Z është ndërtuar për vite me radhë si simbol pushteti në showbiz dhe me ndikim të madh në botën e artit. Një figurë që kaloi nga rruga në majat e industrisë, nga arti në biznes, e nga muzika, ngadalë në qarqe politike dhe institucionale. Pikërisht aty nis edhe problemi. Sepse në momentin që një figurë publike lidhet fort me pushtetin, bëhet pjesë e sistemit. Dhe sistemi, në çdo vend të botës, ka një problem serioz me besueshmërinë.
Në rrjet po qarkullojnë pretendime se Rihanna, bashkë me Kim Kardashian dhe emra të tjerë të njohur, i kanë bërë unfollow Jay-Z në Instagram pas shpërthimit të dosjeve. Ndërkohë ai dhe bashkëshortja, Beyonce, kanë patur një rënie të fortë të ndjekësve në rrjete sociale. Një “dramë” kaq e njohur, një model kaq i përsëritur.
![]()
Nuk është histori amerikane. Është histori universale. Dhe për ne në Shqipëri është e njohur deri në banalitet. Sa herë kemi parë këngëtarë, aktorë, moderatorë, figura publike që nga ekrani kalojnë në krah të politikës dhe qarqeve të pushtetit. Disa për përfitime të drejtpërdrejta, disa për akses, disa sepse u ofrohet një ndjenjë rëndësie që arti nuk ta garanton gjithmonë. Fillon me një foto, vazhdon me një dalje publike, më pas me heshtje selektive. Në fund, publiku i sheh ndryshe. Jo si artistë, por si pjesë e një makinerie që nuk u përket.
Aty humbet gjithçka. Humbet respekti, humbet besimi, humbet dashuria e publikut. Sepse e kupton shumë shpejt kur dikush njolloset. Dhe pushteti, sidomos kur është i errët, nuk falet. As në Shqipëri, as në SHBA, askund.
Rasti i Jay-Z e tregon qartë këtë mekanizëm. Përmendja e emrit të tij në dosje mjaftoi për të rikthyer vëmendjen te mënyra si figura të mëdha të showbiz-it janë ngjitur pas politikës, institucioneve, elitave që funksionojnë larg syve të publikut. Dhe kur kjo ndodh, miti shembet. Sepse idhujt nuk tolerohen kur bëhen pjesë e lojës që njerëzit e zakonshëm e paguajnë çdo ditë.
Prandaj reagimi është kaq i fortë. Prandaj “mbretërit” bien më fort se kushdo tjetër. Jo sepse janë më fajtorë, por sepse kanë pasur më shumë për të humbur. Publiku nuk kërkon përsosmëri, por kërkon sinqeritet. Dhe në momentin që një figurë publike perceptohet si e korruptuar nga pushteti, qoftë edhe moralisht, ajo figurë është e humbur.
Ndryshon vendi, ndryshon gjuha, ndryshon industria. Modeli mbetet i njëjtë. Showbiz-i që hyn në politikë e pushtet nuk del kurrë i pastër. Dhe kjo është arsyeja pse sot, nga Tirana në Los Angeles, publiku reagon njësoj dhe pasojat janë të njëjtat. Sepse pushteti ka një dhunti të rrallë: të shkatërrojë çdo gjë që prek. Edhe ata që dikur i quanim “mbretër”.









